

Atentati si në filma ndaj të riut shqiptar: La botën e errët të krimit për punë të ndershme, por ata nuk e pritën mirë
Itali – Autoritetet italiane kanë zbardhur detaje të reja mbi atentatin ndaj një 25-vjeçari shqiptar, i cili mbeti i plagosur rëndë në Mirano, pranë Venecias.
Dy shtetas shqiptarë u arrestuan të martën, më 28 korrik, për tentativën e vrasjes së R.K., një 25-vjeçari, viktimë e një prite natën e 1 korrikut 2026. Sipas Prokurorisë, Makaj dyshohet se organizoi atentatin, ndërsa Gjoka, i njohur me nofkën “Molli”, është personi që hapi zjarr ndaj të riut.
Sipas hetimeve paraprake, motivi i sulmit lidhet me vendimin e të riut për të ndërprerë përfshirjen në trafikun e drogës dhe për të nisur një jetë të re me një punë në sektorin e ndërtimit.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 1 korrikut. Sipas Prokurorisë italiane, 25-vjeçari kishte siguruar punë në kantierë ndërtimi në zonën e Venecias dhe kishte refuzuar të vazhdonte aktivitetin kriminal me grupin ku dyshohet se kishte qenë i përfshirë më parë.
Hetuesit thonë se ky vendim solli përshkallëzimin e konfliktit me ish-bashkëpunëtorët e tij. Sipas dosjes hetimore, fillimisht ndaj tij u ushtruan presione, ndërsa më pas u organizua sulmi me armë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se i riu kishte qenë edhe më herët objekt i një sulmi. Mes fundit të shkurtit dhe fillimit të marsit, persona të armatosur dyshohet se kishin qëlluar ndaj tij dhe partneres së tij, të cilët më pas ishin strehuar në një rulotë në pronën e babait të saj.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, mbrëmjen e atentatit 25-vjeçari u përball me dy shtetas shqiptarë, Luigj Makaj, 44 vjeç, dhe Armiol Gjoka, 40 vjeç, i njohur me nofkën "Molli".
Sipas autoriteteve italiane, Makaj dyshohet se ka organizuar sulmin, ndërsa Gjoka dyshohet se ka qëlluar me armë.
Kur iu kërkua të ndalonte për të biseduar, 25-vjeçari u largua me vrap, por u ndoq dhe u qëllua nga një distancë e afërt, duke marrë një plagë në zonën mes qafës dhe shpatullës. Hetimet paraprake tregojnë se, pasi ai ra në tokë i plagosur, njëri prej autorëve dyshohet se i drejtoi armën në kokë, por u largua nga vendi i ngjarjes pas mbërritjes së shërbimeve të emergjencës.
Pas rreth një muaji në arrati, karabinierët arrestuan dy të dyshuarit gjatë një operacioni policor. Hetimi është mbështetur në përgjime, ndjekje operative dhe analizën e komunikimeve telefonike dhe në rrjetet sociale.
Dy të arrestuarit akuzohen për tentativë vrasjeje dhe, me urdhër të Prokurorisë, janë dërguar në dy institucione të ndryshme të vuajtjes së dënimit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






