Transmetuar më 28-07-2026, 19:40

Një shqiptar është plagosur në një atentat me armë zjarri në Itali, pasi dyshohet se kishte vendosur të largohej nga rrjeti i trafikimit të drogës dhe të niste një jetë të re.

Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi më 1 korrik në Zianigo di Mirano, pranë Venecias, ku 29-vjeçari me inicialet K.R. u qëllua në shpatull. Ai arriti t’i shpëtojë vrasjes duke u fshehur në një zonë me bimësi pranë banesës së babait të ish-partneres së tij.

Pas një hetimi të koordinuar nga Prokuroria dhe të zhvilluar nga Karabinierët e Venecias, u arrestuan dy shtetas shqiptarë, 44 dhe 39 vjeç, të akuzuar për tentativë vrasjeje dhe mbajtje të paligjshme të armëve të zjarrit.

Gjatë kontrolleve në banesat dhe automjetet e tyre, autoritetet sekuestruan municion të të njëjtit kalibër me plumbin që goditi viktimën, si edhe materiale që lidhen me aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike.

Sipas hetimeve, 29-vjeçari ishte pjesë e të njëjtit rrjet kriminal që vepronte në zonën e Miranos dhe komunave përreth, por kishte vendosur të shkëputej nga aktiviteti i paligjshëm për të nisur një jetë normale dhe për të gjetur një punë të rregullt.

Hetuesit kanë zbuluar se, që prej muajit shkurt 2026, ai ishte kërcënuar vazhdimisht me vdekje për shkak të vendimit të tij. Pasi kërcënimet nuk e detyruan të ndryshonte mendje, dy të dyshuarit organizuan atentatin e natës së 1 korrikut.

Autorët dyshohet se i zunë pritë të riut të armatosur me pistoleta, por ai arriti të largohej dhe të shpëtonte, pavarësisht plagosjes.

Dy shqiptarët e arrestuar ndodhen aktualisht në paraburgim në burgjet e Venecias dhe Padovës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të çështjes vijojnë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit