

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shtyrë për më 10 shtator, në orën 11:00, seancën e radhës gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.
Gjatë seancës, Meta hodhi akuza të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke pretenduar se organi i akuzës ka mashtruar gjykatën në lidhje me çështjen e lobimit në Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, arrestimi i tij më 21 tetor 2024 është bazuar në një letërporosi që ai e cilësoi të falsifikuar.
Meta deklaroi gjithashtu se çështja ndaj tij e ka zanafillën në vitin 2018, pas publikimeve të revistës amerikane Mother Jones, dhe lidhi zhvillimet e mëvonshme me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, i cili është dënuar në SHBA.
Në deklaratat e tij, Meta pretendoi se McGonigal është takuar në Vjenë me Tom Doshin dhe Durim Bamin, duke shtuar se pas këtij takimi në skenë doli Romeo Karaj me kallëzimin ndaj tij.
Ai tha se këto janë informacione për të cilat ka dhënë sqarime më herët dhe se do t’u qëndrojë deklarimeve të tij.
“Gjatë rrugës nga Shqipëria në Kosovë, McGonigal merrte edhe dekorata nga bashkia. Para se ky njeri të vinte në Shqipëri, McGonigal ka qenë në Vjenë dhe aty ka informacione se ka qenë me Tom Doshin. Në atë takim thuhet se ka qenë edhe shtetasi Durim Bami”, deklaroi Meta.
Sipas ish-presidentit, pas këtij takimi në skenë doli R.K., i cili bëri edhe kallëzimin penal ndaj tij.
Deri tani, nuk ka prova publike apo konfirmim zyrtar nga autoritetet që të vërtetojnë pretendimin e Metës për një takim mes Tom Doshit, Charles McGonigal dhe Durim Bamit në Vjenë. Bëhet fjalë për akuza të ngritura nga Meta, për të cilat palët e përmendura nuk kanë reaguar publikisht në lidhje me këtë deklaratë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






