

Durim Bami ka mbërritur në Shqipëri pas ekstradimit nga Dubai, ku ishte arrestuar në tetor të vitit 2024. Ai u shoqërua nga Aeroporti i Rinasit drejt një institucioni të vuajtjes së dënimit nën masa të rrepta sigurie.
Bami ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij Gjykata e Posaçme kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për disa vepra të rënda penale, përfshirë: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.
Sipas dosjes hetimore të Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ai dyshohet se ka drejtuar dhe financuar një grup të përfshirë në kultivimin e kanabisit në zonën e Niklës dhe Bubqit gjatë viteve 2019–2020.
Po ashtu, ndaj tij rëndojnë akuza për përfshirje në plane për eliminime fizike të personave të ndryshëm, mes tyre edhe ish-deputeti Arben Ndoka. Në të kaluarën, emri i tij është përmendur edhe në konflikt me figura të njohura të botës së krimit, përfshirë Ervis Martinaj.
Me mbërritjen në Shqipëri, Bami pritet të përballet me procesin gjyqësor për akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






