Transmetuar më 24-07-2026, 13:12

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi se qytetarët që protestuan gjatë muajit qershor në Bulevard nuk duhet të konsiderohen mosmirënjohës, por si një tregues i ri i standardeve dhe pritshmërive që shoqëria ka ndaj qeverisjes.

Gjatë mbledhjes së përbashkët të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, Rama u ndal te protestat kundër investimit të parashikuar në Zvërnec, duke i cilësuar ato si një moment reflektimi për qeverinë dhe mazhorancën.

Sipas tij, gjatë muajit qershor Bulevardi u mbush me qytetarë nga kategori të ndryshme shoqërore, mosha dhe profesione të ndryshme, ndërsa flamingoja, një shpend i rrallë, i bukur dhe i brishtë, u shndërrua në simbolin e një vëmendjeje të jashtëzakonshme ndaj Shqipërisë.

Rama tha se nga kjo protestë ka nxjerrë një sërë mësimesh, të cilat janë përfshirë në dy dokumente që do të shërbejnë si bazë për ndryshimin e mënyrës së qeverisjes gjatë mandatit të katërt.

“Kam sjellë me vete edhe dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së Bulevardit të flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar, analizuar dhe ndryshuar, në mënyrë që ta përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre. Dokumenti i parë është strategjik dhe lidhet me kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në procesin qeverisës, ndërsa i dyti është një aneks për mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta mbështesë këtë kthesë”, tha Rama.

Episodi me kryebashkiakun dhe qytetarët “mosmirënjohës”

Në fjalën e tij, kryeministri solli në vëmendje edhe një episod me një kryetar bashkie, i cili ishte ankuar për protestën e disa qytetarëve në një lagje periferike.

Sipas Ramës, kryebashkiaku ishte shprehur i indinjuar, pasi pretendonte se kishte bërë investime të shumta në zonë, por banorët, pavarësisht kësaj, kishin dalë në protestë.

“Qëlloi pikërisht në një nga ditët e qershorit që një kryetar bashkie, shok i yni, njeri që i rri në kokë punës dhe komunitetit, më erdhi shumë i acaruar me një grup qytetarësh që kishin dalë në protestë për një problem në lagjen e tyre, në periferi të asaj bashkie”, tregoi Rama.

Ai citoi më pas fjalët e kryebashkiakut:

“‘I kam gjetur në llum, nuk kishin rrugë, trotuare dhe për ndriçim nuk bëhej fjalë. I bëra me rrugë, trotuare, me drita dhe me pemë. U bëra kopsht dhe u vendosa edhe stola, por janë mosmirënjohës’”.

Sipas kryeministrit, pikërisht përdorimi i fjalës “mosmirënjohës” tregon një mënyrë të gabuar të të kuptuarit të fazës së re në të cilën ka hyrë vendi.

“Pikërisht kjo fjalë, ‘mosmirënjohës’, është pikënisja e perspektivës së re që na duhet, sepse në përmbajtjen e saj gjendet kuptimi më i gabuar i fazës së re ku ka hyrë Shqipëria”, deklaroi Rama.

“Ju nuk protestuat kundër Shqipërisë që ndërtuam”

Kreu i qeverisë iu drejtua drejtpërdrejt qytetarëve që morën pjesë në protestat e qershorit, si dhe atyre që, sipas tij, kanë protestuar në heshtje për problematikat që i shqetësojnë.

“Dua që t’ua them unë atyre që dolën në Bulevard gjatë qershorit dhe atyre që kanë protestuar në heshtje, pa zë, vetëm apo me të tjerë, kudo në Shqipëri apo jashtë saj, jo vetëm gjatë qershorit, por që pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar: Ju nuk jeni mosmirënjohës, ju jeni matësi i ri i standardeve tona”, tha Rama.

Ai theksoi se qytetarët që mbushën Bulevardin nuk protestuan kundër ndryshimeve të realizuara gjatë tre mandateve të para të qeverisjes socialiste.

“Ju që mbushët Bulevardin nuk protestuat kundër Shqipërisë që ne ndërtuam gjatë tre mandateve të para. Edhe ata që gjatë ditës ishin në punën e shtetit dhe në mbrëmje shkonin në protestë, nuk dolën në Bulevardin e flamingove për të sulmuar qeverinë apo për t’iu bashkuar këngës ‘Rama, jep dorëheqjen’”, u shpreh kryeministri.

Sipas Ramës, protestat duhet të lexohen si një sinjal se shoqëria shqiptare ka hyrë në një fazë të re, ku qytetarët nuk mjaftohen më me investimet e realizuara, por kërkojnë standarde më të larta, më shumë transparencë dhe një përfshirje më të madhe në vendimmarrje.

Mesazhi i kryeministrit për përfaqësuesit e mazhorancës ishte se institucionet nuk duhet t’i shohin protestat si shprehje mosmirënjohjeje, por si një formë legjitime përmes së cilës qytetarët tregojnë se pritshmëritë e tyre kanë ndryshuar.

Rama theksoi se qeverisja gjatë mandatit të katërt duhet të ndërtohet mbi këtë realitet të ri, duke dëgjuar më shumë shqetësimet e qytetarëve dhe duke e matur punën e institucioneve jo vetëm me arritjet e së kaluarës, por edhe me standardet që shoqëria kërkon sot.

“Epoka e mungesave ka marrë fund”, Rama reflekton pas protestës: Faktet dhe statistikat nuk mjaftojnë më, qytetarët kërkojnë “edhe më mirë”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit