

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit, të cilën e cilësoi si “epoka e pritshmërive”. Sipas tij, qytetarët nuk kënaqen më vetëm me ndryshimet, investimet apo treguesit pozitivë ekonomikë, por kërkojnë standarde më të larta dhe zgjidhje konkrete për problemet që përballojnë çdo ditë.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, Rama u ndal te protesta e zhvilluar në bulevard, të cilën tha se nuk duhet ta shohë vetëm si një tubim kundër qeverisë, por si një “pasqyrë” të realitetit të ri shoqëror në vend.
Kreu i qeverisë pranoi se faktet, investimet dhe arritjet e deritanishme nuk janë më të mjaftueshme për t’iu përgjigjur pritshmërive të qytetarëve.
“Mësimi i parë nga ajo protestë është që faktet tona nuk mjaftojnë më, sepse në Shqipërinë që ne transformuam rrënjësisht, njerëzit nuk jetojnë më me kënaqësinë e ndryshimeve apo inkurajimin e gjërave që ndërtohen. Ata sot jetojnë me pritshmëri që rriten më shpejt sesa mundësitë tona për t’u përgjigjur”, tha Rama.
Rama: Zhvillimi përjetohet edhe me tension dhe pasiguri
Sipas kryeministrit, zhvillimi ekonomik dhe ndryshimet e shpejta në vend nuk përjetohen domosdoshmërisht vetëm si diçka pozitive. Ai tha se një pjesë e qytetarëve e përjetojnë zhvillimin me pikëpyetje dhe pasiguri, veçanërisht lidhur me vendin që kanë në një ekonomi që ndryshon dhe rritet me ritme të shpejta.
“Në një Shqipëri që zhvillohet me ritme të reja, ata e përjetojnë zhvillimin me tension, me atë që shohin dhe me atë që kanë, herë si burim pikëpyetjesh se çfarë po bëhet me vendin dhe shpeshherë si ndjenjë pasigurie për pjesën e tyre në një ekonomi që rritet shpejt”, u shpreh ai.
Rama theksoi se qeverisja nuk mund të mbështetet më vetëm te investimet publike, procesi i integrimit evropian apo statistikat ekonomike. Sipas tij, politikat duhet të lidhen më drejtpërdrejt me përvojën e përditshme të qytetarëve dhe me mënyrën se si ata e ndiejnë zhvillimin në jetën e tyre.
“Nuk mjafton më të qeverisim të tashmen me investime, arritje e integrime, por duhet të qeverisim në harmoni me përvojën e përditshme të qytetarëve, sepse zemrat dhe mendjet e tyre nuk janë më aty ku ishin dje. Ato nuk kanë më lidhje me statistikat ekonomike, sado pozitive qofshin, por janë ankoruar te pritshmëritë e tyre”, deklaroi kryeministri.
“Protesta ishte një pasqyrë që Shqipëria na vuri përpara”
Duke iu referuar protestës si “bulevardi i flamingove”, Rama tha se ajo duhet të shërbejë si një moment reflektimi për qeverinë dhe Partinë Socialiste.
Sipas tij, protesta e sfidoi mazhorancën që të verifikojë nëse e ka kuptuar siç duhet fazën e re në të cilën ka hyrë shoqëria shqiptare dhe nëse mënyra aktuale e qeverisjes është në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve.
“Bulevardi i flamingove duhet parë jo si një protestë, por si një pasqyrë që Shqipëria na e vuri para, duke na sfiduar të shohim vetveten dhe të verifikojmë nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për ta qeverisur Shqipërinë e kësaj faze të re”, tha Rama.
Ai shtoi se në këtë pasqyrë pa fundin e një periudhe historike dhe nisjen e një tjetre, me kërkesa dhe standarde shumë më të larta për institucionet.
Nga “ka edhe më keq” te “ka edhe më mirë”
Kryeministri e përkufizoi periudhën e kaluar si “epoka e mungesave”, në të cilën shoqëria shqiptare, e përballur me rrënim, varfëri dhe mungesë infrastrukture, i gëzohej çdo ndryshimi dhe tregonte tolerancë më të madhe ndaj mangësive.
“Në epokën e mungesave, shoqëritë vuajnë përgjatë rrugëve të rrënimit dhe poshtërimit dhe i gëzohen çdo ndryshimi si fëmija një dhurate. Toleranca e tyre ndaj asaj epoke është shumë e madhe, sepse gjithmonë thuhet: ‘ka edhe më keq’”, tha Rama.
Sipas tij, kjo periudhë tashmë është mbyllur dhe është zëvendësuar nga “epoka e pritshmërive”, në të cilën çdo investim apo shërbim publik konsiderohet një detyrim normal i shtetit dhe jo një arritje që duhet festuar.
“Epoka e hapur është epoka e pritshmërive, ku rruga e re është standard dhe jo fitore. Shkolla e re është një borxh që kthehet me vonesë dhe jo një arsye për të festuar. Çdo shërbim i mirë merret si i mirëqenë dhe asnjë mungesë shërbimi nuk durohet më dot”, deklaroi ai.
Rama tha se qytetarët nuk e krahasojnë më realitetin e sotëm me periudhat më të vështira të së kaluarës, por me standardet më të mira që shohin dhe presin të arrihen.
“Shoqëria as nuk e çon më nëpër mend nëse ‘ka edhe më keq’. Toleranca e saj ndaj asaj që nuk shkon vjen duke u zvogëluar, sepse kjo është epoka e ‘ka edhe më mirë’. Ky është ndryshimi që duhet të kuptojmë dhe mbi të cilin duhet të ndërtojmë mënyrën tonë të qeverisjes”, u shpreh kryeministri.
“Qytetarët nuk pranojnë më justifikimet e së kaluarës”
Në fjalën e tij, Rama pranoi se pritshmëritë e shoqërisë shqiptare po rriten më shpejt sesa mundësitë e institucioneve për t’iu përgjigjur. Për këtë arsye, ai kërkoi një ndryshim të qasjes së qeverisë, duke vendosur në qendër cilësinë e shërbimeve publike, funksionimin e institucioneve dhe shqetësimet konkrete të qytetarëve.
Sipas tij, ndërtimi i një rruge, shkolle apo infrastrukture të re nuk perceptohet më nga publiku si një sukses i jashtëzakonshëm, por si një detyrim i institucioneve që financohen nga taksat e qytetarëve.
Kreu i qeverisë foli gjithashtu për ndryshimin e perceptimit të shoqërisë ndaj korrupsionit dhe drejtësisë. Ai tha se për një periudhë shumë të gjatë në Shqipëri ishte e paimagjinueshme që zyrtarët e lartë të hetoheshin apo të përballeshin me drejtësinë.
“Për 100 e kusur vjet në Shqipëri nuk ishte hetuar një i vetëm zyrtar i lartë, ndërsa korrupsioni ishte pranuar nga të gjithë sikur të ishte fataliteti i një fatkeqësie kronike natyrore. Pyetjes nëse besonin se do të shihnin një ditë zyrtarë të lartë para drejtësisë, njerëzit i përgjigjeshin jo”, deklaroi Rama.
Mesazhi i kryeministrit për strukturat e Partisë Socialiste dhe për anëtarët e qeverisë ishte se mazhoranca duhet të përshtatet me këtë realitet të ri. Sipas tij, rezultatet e arritura deri tani nuk mund të përdoren më si argument i mjaftueshëm për të kërkuar mirëkuptimin e publikut, pasi qytetarët kërkojnë që zhvillimi ekonomik dhe investimet të reflektohen drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së tyre.
Rama e cilësoi protestën si një sinjal për nisjen e një etape të re, ku qeveria do të gjykohet jo vetëm për atë që ka ndryshuar në krahasim me të kaluarën, por për shpejtësinë dhe cilësinë me të cilën u përgjigjet nevojave të sotme të qytetarëve.
Pjesë nga fjalimi
"Do të flas për çfarë pamë dhe çfarë dëgjuam gjatë qershorit, kur bulevardi u mbush me njerëz nga të gjitha kategoritë shoqërore dhe kur një shesh i rrallë u bë simbol i vëmendjes më të madhe globale që vendi ka përjetuar ndonjëherë brenda një muaji. Kam dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së Bulevardit të Flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar e analizuar, që të përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre. I pari është një dokument strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në procesin qeverisës. I dyti është një aneks për mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta mbështesë këtë kthesë’.
Kryebashkiaku anonim
“Një ditë qershori një kryetar bashkie më erdhi shumë i acaruar me një grup qytetarësh. Më tha: ‘I kam gjetur në lumë, nuk kishin rrugë dhe i bëra me rrugë, me drita e me pemë, por janë mosmirënjohës’. Ai shok dhe koleg, të dashur miq, jemi ne të gjithë. Sedra e secilit prej nesh e ka menduar atë fjalë të keqe që i ka ardhur në majë të hundës në marrëdhëniet e punës me popullin. Kam menduar që janë mosmirënjohës. Pikërisht kjo fjalë është pikënisja e perspektivës së re që na duhet, sepse në përmbajtjen e saj gjendet kuptimi më i gabuar i fazës së re ku ka hyrë vendi.
Prandaj dua t’ua them unë që në fillim, duke shfrytëzuar këtë rast, atyre që protestuan ndaj kryetarit të bashkisë, atyre që dolën në bulevard gjatë qershorit dhe atyre që kanë protestuar në heshtje apo me zë, në Shqipëri apo jashtë saj: ju nuk jeni mosmirënjohës. Ju jeni matësi i ri i standardeve tona”.
Bulevardi
“Ju që mbushët bulevardet nuk protestuat kundër Shqipërisë. Bulevardi i Flamingove nuk doli për të mohuar transformimet e vendit apo për t’iu bashkuar këngës ‘Rama jep dorëheqjen’. Ata që votuan për ne në qershorin e kaluar dolën sepse Shqipëria e re që ne kemi ndërtuar nuk jeton më nën hijen e së vjetrës, kur njerëzit flakëshin nga puna e shtetit”.
Mungesat
Në epokën e mungesave shoqëritë vuajnë nga rrënimi dhe i gëzohen çdo ndryshimi. Toleranca e tyre ndaj asaj epoke është shumë e madhe, sepse gjithmonë thuhet: ‘ka edhe më keq’. Epoka e hapur është epoka e pritshmërive, ku rruga e re është standard dhe jo fitore, shkolla e re është borxh që kthehet me vonesë dhe jo arsye për të festuar. Asnjë mungesë shërbimi nuk durohet më si deri në mbylljen e epokës së mëparshme.
Shoqëria sot nuk funksionon më me mendimin ‘ka edhe më keq’. Toleranca e saj ndaj asaj që nuk shkon vjen duke u zbehur, sepse kjo është epoka e ‘ka edhe më mirë’. Ky është ndryshimi që duhet të kuptojmë dhe mbi të cilin duhet të ndërtojmë mënyrën tonë të qeverisjes”.
Njerëzit duan më shumë
"Udhëkryqi për të cilin kam folur më parë por që nuk jam kuptuar, është ky, ne e nxorëm Shqipërinë nga epoka e mungesave, ndaj sot përballemi me një popull që e mat me pritshmëritë e veta dhe jo mungesë, një popull që na kërkon llogari më shumë sesa do donim ne dhe që mbetet për tu bërë, një popull që bezdiset kur tregojmë sesa poshtë është nisur, dhe na tregon sesa lart duhet të jetë vendi pa pritur kohën për tu ngjitur, me ne dhe pa ne, dhe ka të drejtë.
Kush përpiqet ta relativizojë këtë të drejtë që na e tregoi bulevardi, do zvogëlohet… nëse nuk e kupton se kjo e drejtë është më e madhe sesa ti, qofsh PS apo u quajtsh dhe Edi Rama vetë”.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






