

TIRANË – Partia Socialiste ka hartuar raportin përfundimtar prej 357 faqesh për Reformën Territoriale, i cili parashikon katër skenarë të mundshëm për riorganizimin e njësive të qeverisjes vendore në vaftë të zgjedhjeve të ardhshme lokale, pa përcaktuar ende një hartë apo numër fiks bashkish.
Sipas dokumentit zyrtar, katër skenarët e propozuar përfshijnë:
Decentralizimin asimetrik: Ruajtjen e numrit aktual të bashkive me kompetenca të përshtatura.
Bashkimet e mëdha: Krijimin e bashkive me sipërfaqe më të mëdha, të cilat ushtrojnë të gjitha funksionet publike.
Bashkimet e shkallës së mesme: Rialokimin e funksioneve plotësuese mes nivelit qendror dhe vendor.
Bashkitë me funksione bazë: Përqendrimin e njësive vendore vetëm te shërbimet thelbësore.
Pavarësisht skenarit që do të zgjidhet, raporti evidenton tre prioritete kryesore: qartësimin e funksioneve që ushtrohen pjesërisht nga pushteti qendror, ndarjen e saktë të kompetencave dhe ridizajnimin e sistemit të barazimit fiskal për të shmangur nënfinancimin e shërbimeve.
Dokumenti vë theksin te lidhja mes madhësisë së bashkive dhe autonomisë së tyre financiare, duke nënvizuar se thjesht bashkimi i njësive me ekonomi të dobët nuk garanton fuqizim financiar.
Në këtë kuadër, raporti analizon edhe varësinë e lartë të pushtetit vendor nga grantet e qeverisë qendrore. Ndërsa Tirana regjistron varësinë më të ulët me vetëm 22%, e ndjekur nga Vlora e Saranda (25%) dhe Durrësi (39%), bashki të tilla si Hasi (1.053%), Pusteci (1.099%) dhe Këlcyra (1.255%) shfaqin varësi kritike nga fondet e buxhetit të shtetit.
Për të lexuar raportin klikoni në linkun më poshtë:
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






