

Arrestohen administratori dhe 4 punonjës të një resorti në Golem, dyshohet se mbajtën të mbyllur punonjësit e Tatimeve
Pesë persona janë arrestuar në Kavajë, pasi dyshohet se kanë penguar dhe mbajtur të mbyllur për një kohë të konsiderueshme punonjës të Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët ndodheshin në një resort në Golem gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas policisë, në pranga janë vënë administratori i resortit, S. N., 34 vjeç, shefi i financës, Z. J., 56 vjeç, shefi i sigurisë, A. K., 56 vjeç, si dhe dy punonjës të sigurisë, H. S., 64 vjeç dhe B. A., 57 vjeç.
Arrestimi i tyre u krye nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, pas kallëzimit të bërë nga punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 18 korrik 2026, brenda ambienteve të resortit në Golem. Sipas hetimeve paraprake, të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë penguar punonjësit e Tatimeve gjatë kontrollit dhe i kanë mbajtur të mbyllur për një periudhë të konsiderueshme kohe.
Ata akuzohen për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






