

Një grup qytetarësh dhe aktivistësh janë mbledhur ditën e sotme përpara ambienteve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku kanë njoftuar dorëzimin e librit “Albanian Files”, të cilin e cilësojnë si një provë krimi.
Përveç dorëzimit të këtij materiali, protestuesit kanë paralajmëruar se po përgatisin edhe një kallëzim penal zyrtar që do t’ia vënë në dispozicion këtij institucioni në ditët në vijim.
Aktivistja Sidorela Vatnika u shpreh se ky libër përmban të dhëna të qarta për projektet që janë ndërtuar ose pritet të ndërtohen në zona të mbrojtura, duke pretenduar se ligji është ndryshuar me porosi në favor të oligarkëve shqiptarë.
Sipas saj, në dokumentacionin e zbardhur dëshmohet shmangia e konsultimit publik, miratimi i ligjit për projekte të hartuara paraprakisht, si dhe ekzistenca e një konflikti interesi mes kryeministrit, arkitektëve dhe bizneseve, për shkak të rolit të tij si kryetar i Këshillit të Territorit.
Aktivistët theksuan se janë mbledhur për të mbështetur SPAK-un dhe kërkuan që kryeministri Rama të hetohet si çdo qytetar tjetër.
Protestuesit thanë se libri u mbajt nga Prokuroria.
“SPAK e mbajti librin që dorëzuam. Pas deklaratës sonë publike që kërkojmë nisje të hetimit, për atë që ne e cilësojmë si provë të kapjes së shtetit. Ndaj do të presim në ditët në vijim. Do të kemi një kallëzim penal, që po hartohet nga avokatët tanë.
Ne jemi këtu për t’i thënë SPAK se ka mbështetjen tonë për veprimet e deritanishme. Ne nuk jemi për drejtësi popullore, por ne kërkojmë një shtet të së drejtës ku kryeministri të trajtohet dhe hetohet si të gjithë qytetarët”, tha një prej aktivisteve.
“The Albanian Files Freedom and Architecture” është një libër voluminoz mbi arkitekturën, i redaktuar nga Anneke Abhelakh dhe i botuar nga shtëpia botuese zvicerane Lars Müller Publishers.
Libri me 800 faqe përmbledh projektet, skicat, idetë dhe reflektimet e 60 studiove dhe arkitektëve ndërkombëtarë që kanë punuar në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit.
Në libër përfshihet një letër e hapur e arkitektit de Graaf. Në pjesën më të diskutueshme të letrës, arkitekti shprehet se, për interesin e profesionit të arkitektëve, do të ishte më mirë që zgjedhjet e ardhshme të anuloheshin.
De Graaf shkon edhe më tej, duke sugjeruar se vendi mund të përfitonte nëse nuk do të kishte më zgjedhje dhe nëse Edi Rama, pas një mandati tjetër si kryeministër, do të vazhdonte si president i përjetshëm, madje edhe si mbret.


Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






