

Letra e arkitektit holandez Reinier de Graaf drejtuar kryeministrit Edi Rama ka shkaktuar debat për shkak të përmbajtjes së saj provokuese, veçanërisht në pjesën ku autori shkon përtej lavdërimeve për zhvillimet arkitekturore në Shqipëri dhe prek drejtpërdrejt çështjen e pushtetit politik.
Në pjesën më të diskutueshme të letrës, arkitekti shprehet se, për interesin e profesionit të arkitektëve, do të ishte më mirë që zgjedhjet e ardhshme të anuloheshin. Ai argumenton se Shqipëria është kthyer në një vend të rëndësishëm për arkitekturën bashkëkohore dhe se një ndryshim politik mund të rrezikonte vazhdimësinë e projekteve dhe mundësive të krijuara për arkitektët e huaj.
De Graaf shkon edhe më tej, duke sugjeruar se vendi mund të përfitonte nëse nuk do të kishte më zgjedhje dhe nëse Edi Rama, pas një mandati tjetër si kryeministër, do të vazhdonte si president i përjetshëm, madje edhe si mbret. Kjo pjesë e letrës është lexuar nga shumë komentues si një ironi e fortë, por edhe si një deklaratë shqetësuese mbi mënyrën se si një pjesë e elitës ndërkombëtare e sheh Shqipërinë: jo si një demokraci me institucione, por si një hapësirë ku pushteti personal garanton vazhdimësinë e projekteve të mëdha.
Në vijim, arkitekti e vendos këtë ide në një kontekst më të gjerë global, duke thënë se autokracia po fiton terren si formë qeverisjeje në shekullin XXI. Në këtë logjikë, ai ngre pyetjen nëse, në një botë autokracish, mund të ekzistojë të paktën një “autokrat dashamirës me shije”.
Pikërisht kjo frazë përmbledh thelbin më të debatueshëm të letrës: Rama nuk paraqitet thjesht si një kryeministër i zgjedhur, por si një figurë politike që shihet nga arkitekti si garant i një modeli zhvillimi të lidhur ngushtë me pushtetin e tij personal. Për kritikët, kjo është pjesa më problematike, pasi e kthen arkitekturën dhe zhvillimin urban në arsye për të relativizuar zgjedhjet, demokracinë dhe rotacionin politik.
Në fund, letra nuk ngre vetëm një debat estetik mbi kullat, projektet urbane apo arkitekturën moderne në Shqipëri. Ajo hap një çështje shumë më të rëndë: deri ku mund të shkojë admirimi për një lider politik, kur për hir të “shijes” dhe projekteve arkitekturore sugjerohet pezullimi i vetë demokracisë?
Ja letra e plotë

Letër e hapur drejtuar Edi Ramës,
Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Roterdam, 3 mars 2025
Shkëlqesia juaj / i dashur Edi,
Ju lutem më falni që po ju drejtohem në këtë formë. Ju mund të mos më mbani mend; ne jemi takuar vetëm një herë, dhe unë jam thjesht një nga arkitektët e shumtë të huaj që aktualisht punojnë në vendin tuaj.
Po ju shkruaj për të shprehur mirënjohjen time për mundësinë për të punuar në Shqipëri dhe gjithashtu admirimin tim më të gjerë për gjithçka që keni arritur që kur u bëtë kryeministër pak më shumë se një dekadë më parë.
Nën qeverisjen tuaj, Shqipëria ka fituar pothuajse statusin e një modeli. Grupe të shumta fetare dhe etnike po jetojnë në paqe së bashku; ka një ndarje efektive të kishës(ave) dhe shtetit; një popullsi e re në moshë pune e mban ekonominë në këmbë; pjesëmarrja e grave në punë është e lartë dhe në rritje të vazhdueshme; Shqipëria po kërkon në mënyrë aktive anëtarësimin në BE dhe, për të mos harruar, ajo ka një shije të shkëlqyer në arkitekturë.
Në një botë të trazuar, Shqipëria ka filluar të ndihet si përjashtimi shpresëdhënës: pro bashkëpunimit ndërkombëtar, pro vlerave progresive dhe, mbase më e rëndësishmja, pro arsyes – një fener ndriçues kundër të gjitha gjasave.
Megjithatë, qëllimi i shkrimit tim shkon përtej lëvdatave. Po ju shkruaj sepse jam i shqetësuar. Në këtë moment, partia juaj po kërkon një mandat të katërt radhazi. Unë vetëm mund të shpresoj që t’ia dali mbanë. Është e vështirë të imagjinohet një regjim i ri që të kujdeset për arkitektët kaq mirë sa ky aktuali.
Profesioni ynë është historikisht i varur nga patronazhi politik dhe disa mendime të zymta më kanë kaluar nëpër kokë kohët e fundit. Çfarë do të ndodhë nëse ju nuk i fitoni zgjedhjet? A do t’i vijë papritur fundi kësaj Meke të arkitekturës moderne? A do shterojë papritur ky pus i thellë i pashtershëm pune për ne? A mund t’i duhet “ArchArmy” (Ushtrisë së Arkitektëve) të dorëzojë armët po aq shpejt sa u mobilizua?
Nuk e them këtë lehtë, por për ne arkitektët, do të ishte më mirë nëse zgjedhjet tuaja të ardhshme të anuloheshin fare. Unë madje do të shkoja një hap më tej. Duke pasur parasysh statusin e qëndrueshëm të Shqipërisë si një padeon i ndritur i arkitekturës, profesioni ynë do përfitonte shumë nëse vendi juaj të mos bënte më zgjedhje fare, dhe nëse ju, pas mandatit tuaj të pestë radhazi si kryeministër, thjesht të vazhdonit si drejtues i përjetshëm, madje më mirë, Mbret.
Ngjarje të mëdha historike po shpalosen teksa ne flasim. Autokracia po fiton me shpejtësi terren si forma përfundimtare e qeverisjes së shekullit të njëzet e një. Shpresat për një alternativë produktive dërmohen çdo ditë. Duket se po dëshmojmë fundin e “Fundit të Historisë”.
Në këtë kontekst, lutja ime është aq e thjeshtë sa ç’është e drejtpërdrejtë: Në një botë autokracish, a mund të kemi një autokrat dashamirës me shije si ju?
E di që ajo që po ju kërkoj nuk është një sakrificë e vogël, e megjithatë është e një rëndësie të madhe. Shpresoj se do ta merrni parasysh.
Sinqerisht i juaji,
Reinier de Graaf
Letra e arkitektit holandez, Irena Beqiraj: “Autokrati me shije nuk duhet të rrijë më asnjë sekondë në atë zyrë”
Ish-zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj, ka reaguar pas letrës së arkitektit holandez Reinier de Graaf drejtuar kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një dëshmi të qartë të lidhjes mes pushtetit politik, arkitekturës dhe interesave ekonomike.
Sipas Beqirajt, letra duhet lexuar me vëmendje, pasi në të arkitekti, me çiltërsi apo ironi, pranon hapur se Rama është një “autokrat me shije”. Ajo thotë se përmes këtij përkufizimi zbulohet një realitet shqetësues: Shqipëria, një nga vendet më të varfra të Europës, është kthyer në një “Mekë” për arkitektët e huaj, në një burim të madh pune dhe parash, që mund të rrezikohet nëse ndryshon pushteti.
“Arkitekti, me çiltërsi apo tallje, pranon se Rama është autokrat, por me shije. Ai ka kthyer Shqipërinë në një qendër të arkitekturës së huaj, në një burim të pashtershëm pune dhe fitimi, i cili mund të thahet nëse ‘autokrati me shije’ humbet zgjedhjet”, shkruan Beqiraj.
Ajo ironizon më tej se, për të ulur riskun e biznesit të tij, arkitekti i kërkon Ramës një “sakrificë” jo të vogël: anulimin e zgjedhjeve dhe shpalljen e vetes mbret.
Sipas Beqirajt, kjo nuk është thjesht një letër për arkitekturën, por një pasqyrë e mënyrës se si pushteti personal është kthyer në garanci për interesa private. Për të, ideja që vazhdimësia e projekteve urbane të lidhet me qëndrimin e një njeriu në pushtet është alarmuese dhe tregon se problemi nuk është më vetëm estetik apo urbanistik, por politik dhe demokratik.
Në këtë kontekst, Beqiraj arrin në përfundimin se një “autokrat me shije” nuk duhet të qëndrojë më asnjë sekondë në zyrën e kryeministrit.
E plotë
“Profesioni ynë ka qenë historikisht i varur nga patronazhi politik dhe kohët e fundit më janë nëpërmendur disa ide të zymta. Çfarë do të ndodhë nëse socialistët nuk i fitojnë zgjedhjet? A do të marrë fund papritur kjo mekë e arkitekturës bashkëkohore? A do të thahet befas ky burim pune, që duket i pashtershëm? A do t’i duhet kësaj ushtrie arkitektësh të ulë armët po aq shpejt sa u mobilizua?
Nuk e them thjesht për ta thënë, por për ne arkitektët do të ishte më mirë sikur zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri thjesht të anuloheshin. Madje, do të shkoja edhe një hap më tej. Duke qenë se Shqipëria vazhdon të jetë një mbështetëse e ndriçuar e arkitekturës, profesioni ynë do të përfitonte jashtëzakonisht shumë nëse vendi nuk do të zhvillonte më kurrë zgjedhje dhe nëse ju, pas mandatit tuaj të pestë radhazi si kryeministër, thjesht do të vazhdonit si president i përjetshëm, ndoshta edhe si mbret.
Ngjarje të mëdha historike po zhvillohen ndërsa flasim. Autokracia po fiton me shpejtësi terren si forma përcaktuese e qeverisjes në shekullin XXI. Shpresat për një alternativë funksionale po shuhen çdo ditë. Duket sikur po përjetojmë fundin e idesë së “Fundit të Historisë”. Në këtë kontekst, lutja ime është sa e thjeshtë, aq edhe e drejtpërdrejtë: Në një botë autokracish, a mund të kemi të paktën një autokrat dashamirës dhe me shije?
E di se ajo që po ju kërkoj nuk është një sakrificë e vogël, por është një sakrificë me rëndësi të jashtëzakonshme. Shpresoj që do ta merrni në konsideratë.”
Kjo është një letër aluçinante e Reinier de Graaf, një nga arkitektët më të njohur europianë dhe partner në OMA, drejtuar nga ky i fundit kryeministrit Rama, i cili nuk nguron ta botojë në “Albanian Files ”.
Lexojeni me kujdes! Arkitekti me çiltërsi a tallje (vështirë të gjendet kufiri midis të dyjave në këto rreshta) pranon që RAMA është Autokrat por me Shije. Që ka kthyer Shqipërinë vendin më të varfër në Europë në Mekën e Arkitektëve të huaj , në një burim të pashtershëm pune ( kuptohet edhe parash ) i cili mund të thahej nëse “Autokrati me Shije” do të humbte zgjedhjet .
Ndaj për ulur riskun e biznesit të tij, arkitekti pragmatist i kërkon një sakrificë jo të vogël ” Autokratit me Shije” anullimin e zgjedhjeve edhe shpalljen e vetes mbret.
Holandezi që jeton në një vend demokratik e di që zgjedhjet janë një prokurë qeverisjeje funksionale me pushtet e kohë të kufizuar. Ndaj që rrjedha e parasë që dihet nga vijnë të vazhdojë “Meka e Tyre” duhet të shpallet mbretëri.
Dhe “Autokrati me Shije” i rohitur nga deliri si për të normalizuar idenë e mbretërimit e publikon.
Nuk e di nëse ka ndonjë Strateg Algoritmi ” që mund të normalizojë çmendurinë!
Por një gjë e di mirë …. që Autokrati edhe pse me Shije nuk duhet të rri më asnjë sekondë në atë zyrë!
Analisti Andi Bushati ka reaguar me tone të forta pas letrës së arkitektit Reinier de Graaf drejtuar kryeministrit Edi Rama.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bushati shkruan se propozimi që Rama të anulojë zgjedhjet dhe të shpallet mbret nuk është thjesht një goditje ndaj demokracisë apo formës së regjimit. Sipas tij, kjo ide shkon shumë më tej: drejt skllavërimit të një brezi të tërë, me mbështetjen e parave të dyshimta dhe interesave që fshihen pas betonizimit të vendit.
Bushati e cilëson letrën si dëshmi të një projekti të rrezikshëm, ku një grup narcizistësh nuk synon vetëm të përvetësojë të tashmen, por edhe të fshijë kujtesën kolektive dhe të blejë përjetësinë.
Sipas tij, ata nuk kërkojnë thjesht miliona nga kullat dhe betoni, por e shohin Shqipërinë si një laborator të megalomanisë së tyre. Një projekt ku kullëzimi, prekja e zonave të mbrojtura dhe ide të çmendura, si hoteli mbi kanionin e Gjipesë, paraqiten si vizion zhvillimi, ndërsa në thelb shërbejnë për të çimentuar pushtetin, pasurinë dhe emrin e tyre në histori.
“Ky nuk është më vetëm një debat për arkitekturën apo zhvillimin urban. Është një përpjekje për të rindërtuar vendin sipas ambicieve personale të një grushti njerëzish që duan të mbeten të përjetshëm, edhe nëse për këtë duhet të shkatërrojnë kujtesën, natyrën dhe demokracinë”, nënkupton reagimi i Bushatit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






