Transmetuar më 17-06-2026, 21:43

TIRANË – Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka reaguar lidhur me largimin e deputetes Marjana Koçeku nga grupi parlamentar i PS-së.

Analisti Lorenc Vangjeli e ka cilësuar protestën në bulevard si një akt politik, duke theksuar se, sipas tij, mazhoranca nuk ka dhënë deri tani një përgjigje politike të drejtpërdrejtë, përveç qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama dhe disa figurave të tjera të PS-së. Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe largimin e Koçekut si një nga zhvillimet politike të fundit brenda mazhorancës.

Vangjeli i ka kërkuar gjithashtu një qëndrim zyrtar Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së për rastin e deputetes së njohur si “neomalësorja”.

Në përgjigjen e tij, Blendi Klosi u shpreh se bëhet fjalë për një dorëheqje dhe distancim personal, duke theksuar se ekziston një qëndrim publik për këtë çështje.

Ai theksoi se Marjana Koçeku është bërë pjesë e Kuvendit në një grup me shumë prurje të reja, duke nënvizuar se një pjesë e madhe e deputetëve socialistë janë për herë të parë në Parlament.

"Ka një qëndrim publik me ne, me publikun që ajo jep dorëheqjen. Tani, Marjanën e njoh, në fushën e fundit elektorale, ka pasur shumë prurje, një pjesë e madhe të grupit të PS-së është për herë të parë në Kuvend dhe po ta gjykosh nga pikëpamja e karakteristika përfaqëson një zonë që ne realisht kemi nevojë për të marrë atë votë. Në parlament ka djem dhe vajza në Parlament që flasin në Parlament dhe i jap tonin Parlamentin. Kjo hapje me të rinj ka edhe pasoja.”

Sipas Klosit, kjo hapje ndaj figurave të reja përfaqëson zona dhe komunitete që më herët nuk kanë qenë të përfshira mjaftueshëm në përfaqësim politik, por njëkohësisht sjell edhe “pasoja” në funksionimin e grupit parlamentar.

Ai shtoi se në Kuvend ka deputetë të rinj që po i japin një dinamikë të re debatit parlamentar, duke e konsideruar këtë pjesë të natyrshme të procesit të rinovimit politik të PS-së.

Klodi foli dhe për kërcënimet që denoncoi më herët sot Koçeku:

“Në të tilla raste është shumë e rëndësishëm që denoncimet të shkojnë në organet e drejtësisë. Dhe këtu distancohem 100%. Janë organet e drejtësisë, organet e rendit dhe e nxis Marjanën që të ketë këtë raport me drejtësinë, jo nëpërmjet statuseve sepse statuset bëjnë efektin e vet, por drejtësia duhet të bëjë detyrën e saj”, u shpreh Klosi.

Deklarata tronditëse e Koçekut për kërcënim nga Bajrat në Shkodër, reagon Policia e Shtetit

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit