Transmetuar më 08-06-2026, 22:07

Gjendja e Blerim Muçës, muratorit shqiptar 50-vjeçar të dhunuar pak ditë më parë në Lido Tre Archi të Fermos, mbetet e rëndë. Ai ndodhet i shtruar në spitalin Torrette të Ankonës, në gjendje kome të induktuar nga mjekët dhe nën kujdes intensiv.

Sipas mediave italiane, tabloja klinike vazhdon të jetë shumë serioze.

Blerim Muça, me origjinë shqiptare, jeton prej më shumë se 30 vitesh në Itali së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tij. Ndryshe nga disa pretendime të pabazuara që qarkulluan në rrjetet sociale, ai punon prej vitesh në një kompani të njohur ndërtimi dhe njihet nga komuniteti si një njeri i ndershëm, punëtor dhe i respektuar.

Ai ka ndërtuar jetën e tij me shumë sakrifica, ka një shtëpi në pronësi dhe njihet për gatishmërinë për të ndihmuar të tjerët dhe për ndjenjën e lartë qytetare.

Si ndodhi sulmi

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga hetuesit italianë, rreth orës 19:00 të së enjtes, pasi kishte mbaruar punën, Blerimi ishte ulur në një bar në rrugën “La Malfa” së bashku me vjehrrin e tij për të pirë një kafe.

Në të njëjtin lokal ndodhej edhe një i moshuar, i cili sipas dëshmive po fyhej dhe tallej vazhdimisht nga një grup të rinjsh me origjinë nga Afrika e Veriut.

Duke parë situatën, shqiptari ndërhyri për të mbrojtur të moshuarin. Pikërisht në atë moment grupi iu vërsul dhe e goditi disa herë jashtë lokalit.

Goditja më e rëndë dyshohet se ishte ajo me një gur në kokë, e cila e rrëzoi në tokë pa ndjenja.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje mbërritën forcat e rendit, të cilat nisën kërkimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të sulmit.

Rritet shqetësimi për sigurinë

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në Itali, pasi vjen pas disa episodeve të tjera të dhunshme të ndodhura ditët e fundit mes Porto San Giorgio dhe Fermos.

Banorët e zonës kërkojnë më shumë siguri dhe kontrolle, duke shprehur shqetësimin se po ndihen të pasigurt edhe për aktivitete të përditshme si një shëtitje apo një kafe me familjen.

Ndërkohë, komuniteti shqiptar në Itali ka kërkuar drejtësi për Blerim Muçën, ndërsa lutjet dhe mesazhet e solidaritetit për 50-vjeçarin vazhdojnë të shtohen.

Kush është Blerim Muça, shqiptari që po lufton për jetën pas sulmit brutal në Itali? Rrëfimi prekës i kreut të policisë

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit