Transmetuar më 08-06-2026, 21:58

Blerim Muça, 50-vjeçari shqiptar që u sulmua brutalisht të enjten pasdite në Lido Tre Archi të Fermos, vazhdon të ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin Torrette të Ankonës.

Sipas mediave italiane, Muça u përfshi në ngjarje pasi ndërhyri për të mbrojtur një të moshuar që po keqtrajtohej nga një grup të rinjsh me origjinë nga Afrika e Veriut. Sulmi i dhunshëm e la atë me plagë të rënda dhe aktualisht ai po lufton për jetën.

Për të folur mbi figurën e tij ka reaguar Italo Governatori, gjeneral i karabinierëve në pension, i cili e njeh prej më shumë se dy dekadash.

“Blerimi, ose Bledi siç e thërrasin miqtë, është një njeri i ndershëm që territori ynë e njeh prej 30 vitesh. Këto ditë e gjithë komuniteti po ndjek me ankth lajmet për gjendjen e tij shëndetësore. E njoh personalisht prej më shumë se 20 vitesh dhe ndiej detyrimin moral të tregoj se kush është në të vërtetë ky njeri”, shprehet ai.

Sipas gjeneralit, Blerim Muça jeton në zonën e Fermos prej rreth 30 vitesh, ku ka ndërtuar jetën, familjen dhe biznesin e tij. Ai është i martuar me Fabiolën dhe është baba i dy vajzave.

“Bledi nuk është thjesht një bashkëpunëtor. Ai është një person të cilit i kam besuar shumë më tepër se një detyrë pune. Prej më shumë se 20 vitesh, ai dhe kompania e tij kujdesen për pronat tona. Ne i kemi besuar çelësat e shtëpive tona jo nga nevoja, por nga besimi i fituar çdo ditë me ndershmëri, korrektësi dhe përkushtim”, rrëfen Governatori.

Ai shton se gjatë gjithë këtyre viteve nuk ka pasur asnjë arsye për të dyshuar tek Blerimi.

“Në më shumë se dy dekada nuk kemi pasur asnjë arsye të vetme për të vënë në dyshim ndershmërinë e tij. Përkundrazi, kemi njohur një njeri punëtor, të respektueshëm, bujar dhe të lidhur fort me familjen dhe punën.”

Gjenerali e përshkruan shqiptarin si një njeri të qetë, të edukuar dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar të tjerët.

“Sot, ndërsa ai lufton mes jetës dhe vdekjes dhe familja e tij po kalon orë ankthi që askush nuk duhet t’i përjetojë, ndiej nevojën të shpreh afërsinë time, të bashkëshortes sime dhe të gjithë atyre që kanë pasur fatin ta njohin.”

Në fund të mesazhit të tij, ai i drejton një urim prekës Blerim Muçës dhe familjes së tij.

“Blerimi është para së gjithash një njeri i mirë. Dhe njerëzit e mirë meritojnë të kujtohen dhe të mbështeten nga komuniteti që kanë ndihmuar të ndërtojnë me punën, ndershmërinë dhe shembullin e tyre”, përfundon gjenerali italian.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit