Transmetuar më 29-05-2026, 18:48

Greqi: Burgim i përjetshëm pa asnjë lehtësim për bashkëshortin që vrau gruan dhe fshehu trupin në papafingo

Gjykata e Krimeve të Rënda në Athinë dënoi pak më parë me burgim të përjetshëm dhe 2 vjet e gjysmë shtesë, pa asnjë rrethanë lehtësuese, 39 vjeçarin Kastriot Cenko, bashkëshortin e akuzuar për vrasjen e gruas së tij 32 vjeçare Alba Cenko trupin e së cilës e kishte fshehur në papafingon e apartamentit ku jetonin në zonën e Ambelokipit.

Në momentin e krimit, fëmijët e familjes, 11 dhe 13 vjeç, ndodheshin në një dhomë ngjitur.

Vendimi u mor me raport votash 6 me 1. Vota e vetme kundër lidhej me pretendimin se vrasja mund të ishte kryer në gjendje të rënduar emocionale.

Prokurori theksoi se autori nuk kishte treguar asnjë shenjë pendese.

“Çfarë pendese? Nuk tregoi asnjë pendesë. A është pendesë fakti që telefononte nënën e saj dhe e pyeste nëse ajo kishte shkuar në Shqipëri? Nëse do të gjente një bashkëpunëtor për të larguar trupin, do të ishte larguar. Ai përdori fëmijët si mjet manipulimi, si para ashtu edhe pas krimit.”

Në dëshminë e tij, 42-vjeçari, punëtor ndërtimi, përshkroi mënyrën se si vrau gruan në fund të nëntorit 2024.

“E godita një herë dhe ra në tokë. Më tha se do të largohej dhe do t’i merrte fëmijët me vete. Më tha se djali i vogël nuk ishte fëmija im. Në atë moment humba kontrollin. E gjithë jeta ime ishin fëmijët e mi. Vetëm ata kishin rëndësi për mua. Asgjë tjetër nuk më interesonte.”

Më pas, sipas tij, u përpoq t’i jepte ndihmën e parë, por pa rezultat.

“I bëra reanimim, por ajo nuk reagoi. Mora një qese dhe ia vendosa në kokë që të mos linte shenja dhe që fëmijët të mos trembeshin nga gjaku. Mora jorganin dhe një copë pëlhurë të trashë dhe e mbështolla. E futa në dollap dhe shkova t’u përgatisja mëngjesin fëmijëve.”

Kryetarja e trupit gjykues: “Po dëgjoj për çekan, pëlhurë, materiale ndërtimi… Si i kishit të gjitha këto në apartament?”

I pandehuri: “Unë punoj në ndërtim dhe i mbaj zakonisht. Pëlhurën e kisha për ta përdorur në ballkon.”

Kryetarja: “Nuk menduat të telefononit një ambulancë, në rast se ajo ishte ende gjallë?”

I pandehuri: “E vendosa në dollap. Të nesërmen në mëngjes çova fëmijët në shkollë. Nuk isha mirë. Përpiqesha të gjeja forcën për t’u shpjeguar fëmijëve çfarë kishte ndodhur dhe çfarë do të bëja. Shkova në punë dhe kolegët më pyetën çfarë kisha. U thashë se ajo ishte larguar. Mendova ta vendosja në papafingo. Mendoja si t’ua thosha të gjithëve, si t’ua shpjegoja fëmijëve. Vetëm këtë mendoja.”

Kryetarja: “Nëse kishe ndërmend ta tregoje, pse u angazhove ta ngrije trupin në papafingo? E mbështolle, e transportove dhe e fshehe atje.”

I pandehuri: “Nuk isha në gjendje normale. E vendosa në papafingo.”

Në fund, sipas dëshmisë së tij, ai kontaktoi policinë dhe pranoi krimin. Kur mbërritën efektivët, u tregoi vendin ku kishte fshehur trupin në papafingo, si dhe armën e përdorur në vrasje.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit