Transmetuar më 26-05-2026, 16:32

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Greqi është zhvilluar këtë të martë seanca ndaj 39-vjeçarit shqiptar Kastriot Cenko, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Alba Cenko, ngjarje e ndodhur në fund të nëntorit 2024.

Gjatë dëshmisë së tij, i pandehuri u përpoq të justifikonte krimin, duke paraqitur marrëdhënien me bashkëshorten si të tensionuar prej vitesh dhe duke pretenduar se ajo kishte lidhje jashtëmartesore.

“U habita kur ajo më tha se njëri nga fëmijët tanë nuk ishte i imi. Ajo kishte një lidhje jashtëmartesore me një shoqe fëmijërie”, deklaroi Cenko para trupit gjykues, ndërsa pretendoi se vazhdonte ta donte bashkëshorten e tij.

Sipas aktakuzës, 39-vjeçari e goditi fillimisht gruan me çekiç dhe më pas e mbyti me kabllon e karikuesit të telefonit. Pas krimit, ai e fshehu trupin në papafingon e banesës për rreth një javë, ndërsa vijoi jetën normale me dy fëmijët e çiftit, të moshës 13 dhe 11 vjeç.

Hetimet zbuluan se gjatë kësaj periudhe ai kishte përdorur telefonin e viktimës për të dërguar mesazhe familjarëve dhe fëmijëve, me qëllim shmangien e dyshimeve.

“Mamaja iku për të mbledhur para, shkoi larg dhe do të vonojë të kthehet”, ishte një nga mesazhet që ai u kishte dërguar djemve të tij.

Po ashtu, ai kishte kontaktuar edhe motrën e viktimës, duke pretenduar se Alba ishte larguar drejt Italisë me një shoqe dhe duke i kërkuar të mos njoftonte autoritetet.

Pas disa ditësh përpjekjesh për të fshehur krimin, 39-vjeçari u vetëdorëzua dhe telefonoi policinë.

Dialogu në sallën e gjyqit

Gjatë seancës, Kastriot Cenko përshkroi veten si një njeri punëtor dhe të përkushtuar ndaj familjes, ndërsa bashkëshorten e portretizoi si “jobesnike” dhe “provokuese”.

“Më kishte shtyrë poshtë shkallëve, vishej sikur po shkonte në festë”, deklaroi ai.

Në vijim, ai rrëfeu versionin e tij për natën e krimit:

“Ishte ora 1:30 e mëngjesit. U zgjova dhe e dëgjova duke folur në telefon. Tha se do ta merrte fëmijën dhe do të largohej. E pyeta me kë po fliste. Më tha se nuk po i ofroja asgjë dhe se djali ynë i vogël dukej si babai i tij dhe jo si unë. Më tha se fëmija nuk ishte i imi. Isha i hutuar”, tha ai.

Më tej, i pandehuri deklaroi:

“Kur e godita me çekiç, ajo ra në shtrat. Nuk mbaj mend si përfundoi kablloja në dorën time. U përpoqa ta sillja në vete.”

Gjykatësi: Kur e patë të binte në shtrat, cili ishte mendimi juaj i parë?

I pandehuri: Nuk po mendoja asgjë në atë kohë…

Gjykatësi: Pra, kur filluat të kuptonit se çfarë po bënit?

I pandehuri: Kur e shtrydha me kabllin, po përpiqesha ta sillja në vete. I masazhova gjoksin. Ajo nuk po merrte frymë.

Gjykatësi: Si mund të marrë frymë me kabllin në qafë?

I pandehuri: Nuk isha në gjendje të kuptoja se çfarë kisha bërë…

Sipas mediave greke, i akuzuari deklaroi gjithashtu se mendimi i vetëm pas krimit ishte të mos lejonte fëmijët të shihnin nënën e tyre të pajetë.

“E ngrita në papafingo me shumë vështirësi. Mendova edhe të bëja vetëvrasje, por nuk e bëra për shkak të fëmijëve”, u shpreh ai.

Në një tjetër moment të seancës, gjykatësi e pyeti për mënyrën se si kishte fshehur trupin e viktimës.

Gjykatësi: Pse e mbështollët trupin me disa shtresa qesesh dhe e çuat në papafingo?

I pandehuri: Nuk mbaj mend… Nëse doja të zhdukesha, mund ta bëja. Por nuk mendova ta fshihja. Ishte një apartament i vogël. Nuk doja që fëmijët ta gjenin.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit