

Nga Mentor Kikia

Bëra një shënim (e gjeni më poshtë), sapo mësova për ngjarjen e rëndë në rrugën Elbasan – Librazhd. Shkruajta shpejt, pasi njoh vendin dhe zonën. Një zonë e rrezikshme, ku nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë aksidentet, nëse nuk ndërhyhet.
Nuk e dija kush është shoferi, por kjo nuk ndryshon asgjë meqë ishte Petri, një njeri publik.
Nuk e di nëse është fajtor, por në qoftë, të paguajë çfarë ligji i ka rezervuar deri në fund.
Ndjehem i pikëlluar në shpirt për një 7 vjeçar, që iu këput jeta pa e nisur mirë.
Por, shqetësimi im nuk ishte as Petri, as fati i tij në raport me ligjin. Ka kush e cakton këtë.
Shqetësimi im ishte jeta e një fëmije që iku dhe se ajo zonë është arenë aksidentesh dhe do të vazhdojë të jetë, nëse nuk ndërhyhet.
Shqetësimi im është se nuk është vetëm faji i shoferave (sot quhet Petri, nesër do të ketë emër tjetër), por edhe i kushteve të sigurisë në rrugë.
Por këtu shpërtheu lumi i gjykatësve popullorë. Njerëzit e rrjetit, që duan të thuash:
“Ai këlyshi komunist; ai krimineli i pamëshirshëm; ai vrasësi gjakftohtë; ai plehra që tha po ecaja ngadalë; ai maskarai që nuk dëshmoi dhëmbshuri për fëmijën që vrau; ai duhet vrarë; duhet djegur; duhet rrjepur…”.
Ndërsa unë po e “mbroja” duke thënë: Të vëmë mend nga tragjeditë, ti shndërrojmë në mësime pësimet, jo vetëm duke ulur shpejtësinë në rrugë, por duke forcuar kushtet e sigurisë, duke ndërtuar mbikalime për njerëzit…
Por edhe duke punuar më shumë me edukimin e fëmijëve, duke i mësuar të jenë më të kujdesshëm.
Të etur për hakmarrje primitive, ne verbohemi, pa qenë në gjendje të shikojmë përtej individit, të shikojmë problemin në thelb dhe të kërkojmë zgjidhje. Më duket trishtuese që jemi të etur për të shqyer këdo që mendojmë se është fajtori, e nuk arsyetojmë dot për zgjidhje.
Fëmijët aty kalojnë mes përmes rrugës për të shkruar në shkollë. Ka barriera në asfalt e tabela kufizuese shpejtësie. Por ka edhe shofera të çmenduar, e do të ketë gjithmonë, sado ti fusim në burg.
Ja po e vrasim shoferin që sot quhet Petri! Po nëse nesër shoferi i aksidentit të radhës do të jetë ai i makinës së qumështit? Po nëse është zetoristi i fshatit? I forti i qytetit? I moshuari që ngatërron gazin me frenat? Ç’do bëjmë, do të ndahemi kë të shqyejmë e kë të lëmë?
Jo!
Përtej turmës së etur për shqyerje, unë vazhdoj të ngre zërin e të them se, paralelisht me ndëshkimin e shoferave të çmendur, shumë aksidente mund të evitohen duke përmirësuar kushtet e sigurisë, duke ndërtuar mbi e nën kalime për banorët lokalë.
Shpresoj që të mos shkuaj më për këtë vend e për këtë arsye!
Një tjetër fëmijë u vra! Të zëmë mend nga tragjeditë!

U shënua viktima e radhës, fatkeqsisht është një fëmijë vetëm 7 vjeç. Ndodhi në rrugën Elbasan-Librazhd, fshati Mengël. Sapo lë qytetin e Elbasanit. Eshtë një zonë shumë e rrezikshme. Rruga kalon përmes fshatit. Trafiku është i rënduar. Në të dy anët e saj ka shtëpi, dyqane, tenda që shesin fruta e perime, shporta e qypa.. ka kafene, restorante…
Pas aksidentit, mediat intervistojnë dëshmitarët: Ishte shpejt shoferi, po po, shpejt… e kishte parë njëri, që tha ishte me shpejtësi maksimale?
Sa është shpejtësia maksimale?
Shoferi kishte thënë: Jam në rrugë nacionale, jamë në rrugën time. Por nuk isha shpejt…
Megjithatë këto punët e shpejtësisë dhe përgjegjësisë, tashmë i sqaron policia, prokuroria dhe gjykata.
Por, a janë fajtorë vetëm drejtuesit e automjeteve në raste aksidentesh, (edhe kur liogjerisht mund te jene fajtore), aq më shumë kur viktima është një fëmijë?
Shoferi duhet të mbajë përgjegjësinë e tij ligjore deri në fund nëse është fajtor. Por a mjafton kjo? Nuk zgjidhet situata vetëm duke dënuar shoferin apo duke ulur normën e shpejtësisë në rrugë.
Tragjeditë duhet të shndërrohen në mësime!
Këmbësorët nuk duhet të kalojnë përmes makinave për të dalë në anën tjetër të rrugës. Duhej të ishin ndërtuar të paktën dy mbikalime aty.
Kanë ndodhur shumë aksidente aty, por pas çdo viktime ne jemi mjaftuar vetëm me fjalët: Plehrat, maskarenjtë, kriminelët, kështu është kur nuk ka shtet, etj., etj.
Rrugët e reja çajnë fshatrat mes përmes dhe banorët detyrohen të vënë bast me jetën për të kaluar në anën tjetër.
Të zëmë mend nga tragjeditë!
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





