

Drejtori i policisë në Lezhë, Islor Islami, ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i tij drejtues pas zbulimit të ambienteve të përshtatura për lojëra fati në Laç dhe në Milot.
Më herët, Policia njoftoi se kishte vënë në pranga tre persona dhe shpallur në kërkim një tjetër pasi i kishin kthyer lokalet në ambiente për ushtrimin e lojërave të fatit.
Gjatë operacionit u sekuestruan 15 makineta, 3 tavolina pokeri, sasi lënde narkotike të dyshuar si kokainë, para në cash dhe pajisje të tjera që shërbenin për këtë veprimtari.
Në pranga përfunduan tre shtetas, ndërsa një tjetër u procedua penalisht dhe një person u shpall në kërkim, të gjithë pronarë ose administratorë të ambienteve të përfshira.
Pas hekurave rane: Shkëlzen Preni, Dorjan Medha dhe Ylli Veseli. Në kërkim u shpall Pjetër Lleshi.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni i koduar “Rastet”.
Operacioni u zhvillua pas informacionit të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Zbulohen në Milot dhe në Laç, 3 raste ku kishin përshtatur ambientet për lojëra fati me makineta dhe tavolina pokeri.
Njëri prej ambienteve, gjithashtu i përshtatur për përdorim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Sekuestrohen 15 makineta, 3 tavolina për lojën “Poker”, sasi lënde narkotike Kokainë, shumë parash, si dhe sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Arrestohen 3 shtetas, procedohet penalisht 1 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 (pronarë dhe/ose administratorë të ambienteve).
Bazuar në informacionet e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për disa raste ku ishin përshtatur ambientet për zhvillimin e lojërave të fatit, me makineta dhe tavolina pokeri, shërbimet e Policisë organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Rastet”.
Gjatë operacionit u zbuluan 3 ambiente të përshtatura për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, dhe u konstatua se te njëri prej tyre gjithashtu përdoreshin dhe shiteshin lëndë narkotike. Konkretisht, për këto raste:
-u arrestuan shtetasit Sh. P., 21 vjeç dhe D. M., 33 vjeç, dhe u procedua penalisht shtetasi S. Sh., 61 vjeç, pasi në një lokal në Laç, në pronësi të shtetasit të proceduar, subjekt i cili dyshohet se bashkadministrohej nga 2 të arrestuarit, u gjetën 8 makineta, 2 tavolina dhe sende të tjera për lojëra fati, si dhe sasi lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, e ndarë në doza;
-u arrestua shtetasi Y. V., 45 vjeç, pasi në lokalin e tij, në Milot, u gjetën 6 pajisje dhe sende me të cilat luheshin lojëra fati;
-u shpall në kërkim shtetasi P. Ll., 31 vjeç, pasi në një ambient në pronësi të tij, në Milot, u gjetën 2 makineta, 1 tavolinë dhe sende për lojëra fati. Punohet për kapjen e 31-vjeçarit.
Kontrollet kundër kësaj paligjshmërie, vijojnë në subjekte dhe në ambiente të ndryshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






