

Çfarë fshihej pas dyerve të mbyllura në Milot dhe Laç? Operacioni i Policisë zbulon një skemë të fshehtë me lojëra dhe aktivitete të dyshimta
Një operacion i Policisë së Shtetit ka çuar në goditjen e disa rasteve të lojërave të fatit dhe aktiviteteve të paligjshme në zonën e Milotit dhe Laçit.
Operacioni i koduar “Rastet” u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, duke çuar në zbulimin dhe çmontimin e tre ambienteve të përshtatura për veprimtari të kundërligjshme.
Si rezultat i ndërhyrjes së policisë, u zbuluan tre ambiente ku organizoheshin lojëra fati me makineta dhe tavolina pokeri, ndërsa në njërin prej tyre u konstatua edhe përdorimi dhe shitja e lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit u sekuestruan 15 makineta, 3 tavolina pokeri, sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë e ndarë në doza, një shumë parash dhe sende të tjera që përdoreshin për këtë aktivitet.
Në kuadër të këtij operacioni, policia arrestoi tre shtetas, procedoi penalisht një tjetër dhe shpalli në kërkim një person.
Në Laç u arrestuan shtetasit Sh. P., 21 vjeç dhe D. M., 33 vjeç, ndërsa u procedua penalisht pronari i lokalit, S. Sh., 61 vjeç. Në këtë ambient u gjetën 8 makineta, 2 tavolina pokeri dhe lëndë narkotike kokainë e ndarë në doza.
Në Milot u arrestua shtetasi Y. V., 45 vjeç, pasi në lokalin e tij u gjetën pajisje të shumta për lojëra fati.
Ndërkohë, në një tjetër ambient në Milot, në pronësi të shtetasit P. Ll., 31 vjeç, i cili është shpallur në kërkim, policia gjeti 2 makineta, 1 tavolinë pokeri dhe pajisje të tjera të përdorura për këtë veprimtari të paligjshme.
Policia vijon kontrollet në terren për të identifikuar dhe goditur raste të tjera të kësaj natyre, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Lezhës për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






