

KOSOVË – Një ngjarje e rëndë ka tronditur Malishevë, ku tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi në një banesë.
Lajmi është konfirmuar nga Drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, i cili bëri të ditur se viktimat janë një burrë 35-vjeçar dhe dy fëmijët e tij të mitur, të moshës 9 dhe 12 vjeç.
Sipas autoriteteve, rreth orës 12:55 është raportuar për një incident zjarri në një banesë në lagjen “Mirëdita”. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë ndërhyrë njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.
Zëdhënësi i Policisë, Sheremet Elezaj, bëri të ditur se tre persona – një i rritur dhe dy fëmijë – janë gjetur në vendin e ngjarjes dhe janë transportuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku mjekët kanë konstatuar se ata nuk kishin shenja jete.
Zjarri është lokalizuar nga shërbimet zjarrfikëse, ndërsa nuk raportohen dëme të tjera në njerëz apo materiale përtej rastit tragjik. Për ngjarjen është njoftuar prokurori i shtetit dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të saj.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






