Transmetuar më 16-04-2026, 15:36

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Malishevë, ku tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të shkaktuar, sipas dyshimeve paraprake, nga shpërthimi i një bombole gazi në një banesë.

Viktimat janë anëtarë të familjes Berisha, me origjinë nga fshati Gurbardh, por që jetonin në Malishevë. Ata janë një baba 35-vjeçar dhe dy fëmijët e tij të mitur, një djalë dhe një vajzë, të moshës 9 dhe 12 vjeç.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 13:00 në lagjen “Mirëdita” në Malishevë. Sipas zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.

“Në banesë janë gjetur tre persona (një i rritur dhe dy fëmijë), të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku është konstatuar se të njëjtit ishin pa shenja jete”, ka deklaruar Elezaj.

Dyshohet se babai dhe dy fëmijët ndodheshin brenda banesës në momentin e shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, i cili përfshiu hapësirën e tyre në një banesë kolektive. Zjarri është lokalizuar nga ekipet zjarrfikëse dhe nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, Instituti i Mjekësisë Ligjore ka tërhequr trupat e viktimave për kryerjen e obduksionit, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe aktualisht po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

Lidhur me këtë tragjedi ka reaguar edhe kryetarja e Kuvendit dhe njëherësh ushtruese e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimave.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të një babai dhe dy fëmijëve nga zjarri që ndodhi sot në Malishevë. Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimave. Ndajmë dhimbjen me ta dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë”, ka shkruar Haxhiu.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit