Transmetuar më 25-03-2026, 21:06

Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit bie në Kushtetuese, Presidenca mundohet ta paraqesë vendimin si konfirmim të saj

Presidentja e Republikës së Kosovës ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastet KO72/26 dhe KO74/26, duke e mirëpritur vendimin dhe duke theksuar se ai konfirmon plotësisht qëndrimet juridike të Presidencës.

Sipas Presidencës, Gjykata Kushtetuese ka vërtetuar se Presidentja Vjosa Osmani nuk ka kryer asnjë shkelje kushtetuese lidhur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Në deklaratë theksohet se në asnjë pjesë të aktgjykimit nuk konstatohet shkelje nga ana e Presidentes, përkundrazi, vendimi i gjykatës mbështet argumentet e paraqitura nga Presidenca.

Gjykata ka sqaruar se nuk është dekreti ai që çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, por dështimi i Kuvendit për të zgjedhur Presidentin e ri. Sipas këtij interpretimi, dekreti i Presidentes është vetëm një formalizim i një situate të krijuar, dhe jo shkaku i saj.

Në të njëjtën kohë, Gjykata ka theksuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit duhet të konsumohet para afatit përfundimtar 30-ditor të paraparë nga Kushtetuta, i cili është detyrues dhe nuk mund të relativizohet.

Presidentja ka mirëpritur gjithashtu afatin prej 34 ditësh që Gjykata Kushtetuese u ka dhënë deputetëve për të përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit dhe u ka bërë thirrje atyre që të veprojnë menjëherë për të përmbushur këtë detyrim kushtetues.

Sipas Presidencës, dhënia e këtij afati shtesë nuk ka qenë në kompetencën e Presidentes, por është rezultat i interpretimit të Gjykatës, e cila është autoriteti i vetëm për interpretimin e Kushtetutës.

Në reagim theksohet se deklaratat politike për shkelje të supozuara kushtetuese janë të pabazuara dhe tregojnë keqinterpretim të vendimit, duke shtuar se përgjegjësia për situatën aktuale i takon deputetëve për shkak të mungesës së konsensusit për zgjedhjen e Presidentit.

Në fund, Presidenca i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të caktojë sa më shpejt një seancë të re dhe të përfundojë procesin e zgjedhjes së Presidentit, në mënyrë që të sigurohet stabilitet institucional në vend.

Deklarata e plotë:

Presidentja e Republikës së Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastet nr. KO 72/26 dhe KO 74/26, i cili i konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese.

Në përputhje me komentet e dërguara nga Presidenca, edhe vetë Gjykata Kushtetuese e konfirmon në paragrafët 153, 155 dhe 190 se afati 60-ditor duhet të konsumohet para afatit 30-ditor të paraparë në nenin 86.2 të Kushtetutës, dhe se ky afat 30-ditor para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është përfundimtar dhe detyrues, si dhe nuk mund të relativizohet.

Gjykata, në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj, nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes. Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve.

Presidenca ka shprehur të njëjtin qëndrim në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, duke potencuar se dekreti është thjesht formalizim i një situate ekzistuese dhe se nuk është dekreti, por është vetë dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit që e çon vendin në zgjedhje.

Rrjedhimisht, duke qenë se rrethana e moskonstituimit të Kuvendit me kohë nuk ka qenë e paraprarë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Gjykata ka interpretuar një rrethanë përjashtuese që vlen për këtë rast specifik, duke sqaruar se “në të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë, duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.” (paragrafi 191 i Aktgjykimit)

Presidentja e mirëpret afatin 34-ditor të dhënë deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ana e gjykatës dhe u bën atyre thirrje që urgjentisht ta kryejnë këtë detyrim kushtetues.

Dhënia e këtij afati shtesë nga ana e gjykatës kushtetuese assesi nuk ka qenë në kompetencën e Presidentes së Republikës. Por është pikërisht dekreti i Presidentes që e ka hapur rrugën për këtë sqarim të rëndësishëm nga ana e gjykatës si autoritet i vetëm dhe përfundimtar për të interpretuar Kushtetutën.

Deklaratat politike për kinse shkelje kushtetuese tregojnë edhe keqlexim të aktgjykimit, por edhe politizim të skajshëm të një situate tashmë të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese: që dështimi për zgjedhjen e Presidentit të vendit është i deputetëve dhe si pasojë e mungesës së vullnetit politik për të arritur konsensus rreth zgjedhjes së Presidentit.

Në vend të deklarimeve të tilla të paqëndrueshme, ftojmë Kuvendin e Kosovës që qysh nesër ta caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe ta kryejnë detyrimin për të cilin janë zgjedhur, duke i dhënë vendit stabilitet dhe siguri.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit