

Gjykata Kushtetuese rrëzon dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe vendos afat për zgjedhjen e presidentit
Vendim i fortë nga Kushtetuesja: dekreti i presidentes pa efekt, nis afati kritik për Kuvendin
Prishtinë – Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar më 25 mars 2026 aktgjykimin për rastet KO72/26 dhe KO74/26, duke marrë një vendim me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike në vend.
Gjykata ka vendosur njëzëri që kërkesat janë të pranueshme dhe ka konstatuar se dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit nuk prodhon asnjë efekt juridik.
Sipas vendimit, deputetët e Kuvendit kanë 34 ditë afat nga hyrja në fuqi e aktgjykimit për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së presidentit të Republikës.
Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin brenda këtij afati, atëherë shpërndarja e Kuvendit do të ndodhë automatikisht sipas Kushtetutës, dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Gjykata ka njoftuar gjithashtu se masa e përkohshme e vendosur më 9 mars 2026 shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij aktgjykimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimet e ardhshme politike në Kosovë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






