

Tiranë – Nën akuzë se hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 24 shtetas.
Arrestohen 15 prej tyre dhe procedohen penalisht 9 prej tyre.
Gjatë tubimit u dëmtuan 6 punonjës policie.
Të dielën, rreth orës 18:00, gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Gjithashtu, ata kanë hedhur në drejtim të tyre dhe ndaj disa institucioneve lëndë djegëse (molotovë). Si pasojë, 6 punonjës Policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit dhe morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Si dhe janë shkaktuar dëmtime në godinat përkatëse, janë djegur disa kosha mbeturinash, si dhe është djegur 1 automjet policie.
Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 24 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.
Në vijim: -u arrestuan në flagrancë shtetasit O. K., 43 vjeç; M. J., 53 vjeç; S. D., 48 vjeçe; E. H., 22 vjeç; A. M., 50 vjeç; A. K., 55 vjeç; A. K., 58 vjeç; K. T., 34 vjeç; F. D., 34 vjeç; H. D., 36 vjeç; Xh. T., 40 vjeç; Xh. K., 30 vjeç; E. T., 21 vjeç; I. Xh., 33 vjeç; dhe L. G., 19 vjeç.
Sakaq nisi procedimi penal për shtetasit: K. M, E. H, L. M dhe për 5 shtetas të mitur.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. B., deputet, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shtyrja e të miturit më krim”.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






