

Irani ka marrë informacione autentike që tregojnë se Shtetet e Bashkuara dhe regjimi izraelit kërkojnë të shpallin një armëpushim të përkohshëm në luftën me Iranin në mënyrë që të fitojnë kohë, thuhet në një raport që publikoi Press Tv.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po shqyrtojnë mundësinë e shpalljes së një armëpushimi të përkohshëm në konfliktin me Iranin, raportuan sonte mediat në Iran. Rrjeti publik Press Tv tha se kjo tërheqje e përkohshme po bëhet me qëllim fitimin e kohës për përgatitje të mëtejshme ushtarake.
Press Tv ka mësuar se ky armëpushim mund të zgjasë një ose dy ditë dhe synon të krijojë hapësirë për planifikimin e një sulmi në pjesën jugore të Iranit.
Media iraniane thotë se ndërprerja e përkohshme e sulmeve mund t’u japë mundësi forcave amerikano-izraelite të rindërtojnë sistemet e radarëve dhe mbrojtjes në territoret e kontrolluara prej tyre dhe në bazat amerikane në rajon.
Sipas të njëjtit burim, balanca e forcave ka ndryshuar në 48 orët e fundit, pas disa zhvillimeve të rëndësishme, përfshirë pretendimet për goditjen e një avioni luftarak amerikan F-35 nga forcat iraniane, vijimin e bllokimit të Ngushticës së Hormuzit dhe rritjen e ndjeshme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane pretendojnë se kanë arritur kontroll të plotë mbi trafikun në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për furnizimin global me energji, çka ka ndikuar në rritjen e çmimeve të energjisë dhe mallrave në nivel global.
Pretendimet për goditjen e avionit F-35 janë bërë publike edhe nga Garda Revolucionare e Iranit, e cila deklaron se sistemi i saj i avancuar i mbrojtjes ajrore ka neutralizuar avionin në hapësirën ajrore të Iranit qendror. Zyrtarët amerikanë pranuan se avioni i tyre F-35 bëri ulje të detyruar pas dëmtimit që pësoi. Kjo ishte hera e parë që një avioni i këtij tipi arrihet të sulmohet me efektivitet.
Pak orë pas këtij publikimi, Presidenti Trump shkroi në rrjetin e tij social Truth se SHBA po konsideron tërheqjen e pjesshme nga operacioni në Iran.
Zhvillimet e fundit tregojnë një situatë të tensionuar dhe në ndryshim të vazhdueshëm, ndërsa përpjekjet për një armëpushim të përkohshëm mund të lidhen me kalkulime strategjike nga të gjitha palët e përfshira.
Foto: AFP
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






