

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se po shqyrton mundësinë për të “ulur gradualisht” operacionin ushtarak në Lindjen e Mesme, megjithëse kjo deklaratë duket në kundërshtim me veprimet e fundit të administratës së tij.
Deklarata e Trump erdhi pak orë pasi më herët sot, mediat e Iranit raportuan se SHBA dhe Izraeli synojnë një armëpushim të përkohshëm për të fituar kohë.
Në një postim në rrjetet sociale të premten në mbrëmje, Trump u shpreh se SHBA po konsideron tërheqjen e pjesshme nga operacioni, një koment që erdhi pas rritjes së çmimeve të naftës, e cila ndikoi negativisht në tregun amerikan të aksioneve.
Megjithatë, deklarata e presidentit bie ndesh me vendimet e fundit të administratës për të dërguar më shumë trupa dhe anije luftarake në rajon, si dhe me kërkesën për rreth 200 miliardë dollarë financim nga Kongresi për të mbështetur operacionet ushtarake.
Në të njëjtin reagim, Trump la të paqartë edhe rolin e SHBA-së në mbikëqyrjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë. Ai kishte deklaruar më herët gjatë javës se SHBA nuk ka nevojë për ndihmë nga vendet e tjera, por njëkohësisht ishte shprehur i pakënaqur për mungesën e mbështetjes nga aleatët.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






