

Zbardhet dëshmia e autorit të dyshuar për ngjarjen në Tiranë, thotë se veproi në kushtet e vetëmbrojtjes: “Rruga ishte bllokuar, debati u përshkallëzua”
Është zbardhur dëshmia e Gazment Buçpapaj, i dyshuar si autor i ngjarjes ku humbi jetën 31-vjeçari Egli Pashollari në Tiranë. Para hetuesve, ai ka deklaruar se veproi në kushtet e vetëmbrojtjes pas një konflikti që, sipas tij, nisi për shkak të bllokimit të rrugës.
Buçpapaj, i cili u arrestua mbrëmjen e së hënës në Tropojë, është marrë në pyetje nga policia për ngjarjen e ndodhur më 20 shkurt në zonën e ish-Parkut në Tiranë. Gjatë dëshmisë së tij, ai ka pretenduar se situata u përshkallëzua pas një debati në trafik.
Sipas tij, në momentin e ngjarjes kishte marrë bashkëshorten nga puna dhe po shkonte drejt spitalit kur gjeti rrugën të bllokuar.
“Rruga ishte e bllokuar. I rashë borisë që të hapej rruga, por personi në makinën tjetër më ofendoi,” citohet të ketë deklaruar ai para policisë.

Buçpapaj ka treguar se pasi automjetet kanë lëvizur edhe rreth 100 metra, Pashollari ka zbritur nga makina dhe, sipas tij, debati është përshkallëzuar.
“Pasi zbriti nga makina më ofendoi sërish. U përfshimë në një përplasje fizike dhe në kushtet e vetëmbrojtjes e godita me thikë,” ka deklaruar ai.
Edhe në dëshminë e dhënë nga bashkëshortja e tij, Laureta Buçpapaj, është përmendur se konflikti mes dy personave ka nisur për shkak të bllokimit të rrugës.
Ajo ka treguar para hetuesve se bashkëshorti i saj i kishte rënë borisë për t’i kërkuar drejtuesit të automjetit tjetër të hapte rrugën, por sipas saj situata u tensionua pas shkëmbimit të fjalëve fyese.
“Bashkëshorti i ra borisë që të hapte rrugën, por drejtuesi i mjetit tjetër na ofendoi me fjalë të rënda. Nuk e pashë momentin kur ai e goditi personin tjetër me ndonjë send, por dyshoj se mund të ketë përdorur një thikë me palosje që e mbante në makinë,” ka deklaruar ajo gjatë marrjes në pyetje.

Gazment Buçpapaj
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 të datës 20 shkurt në zonën e ish-Parkut në Tiranë. Sipas të dhënave nga hetimet, Egli Pashollari u godit disa herë me thikë gjatë konfliktit. Një nga plagët, në pjesën poshtë shpatullës, rezultoi fatale pasi ai humbi një sasi të madhe gjaku.

31-vjeçari u transportua drejt spitalit nga dëshmitarë që ndodheshin në vendngjarje, por sipas burimeve mjekësore ai mbërriti pa shenja jete.
Pas ngjarjes, autori u largua nga vendi dhe u fsheh te disa të afërm të tij në Tropojë. Ai u arrestua më vonë nga policia, ndërsa hetimet për rrethanat e plota të ngjarjes vijojnë.
Dalin pamjet e momenteve të sherrit me pasojë vdekjen e Eglit në Tiranë
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






