Transmetuar më 22-02-2026, 17:40

Publikohen pamjet e vrasjes së Egli Pashollarit në Tiranë, në kërkim Gazmend Buçpapa

Tiranë – Janë publikuar pamjet filmike nga kamerat e sigurisë që dokumentojnë momentet e sulmit me thikë ndaj Egli Pashollarit, ngjarje e ndodhur pasditen e sotme në kryeqytet.

Sipas hetimit dhe pamjeve filmike nga kamera sigurie përreth, viktima, 31-vjeçari Egli Pashollari, sapo kishte zbritur nga automjeti i tij tip “BMW Seria 7”, me ngjyrë të bardhë, në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, rreth orës 15:40, kur është përballur me një sulm të papritur nga tre persona.

Pamjet tregojnë dy djem dhe një vajzë duke e sulmuar fizikisht me grushte dhe shkelma. Gjatë përplasjes, i dyshuari kryesor, Gazmend Buçpapa, dyshohet se e ka goditur Pashollarin me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda që rezultuan fatale.

Në vendngjarje ndodheshin edhe partnerja e autorit të dyshuar, si dhe një person tjetër, të cilët shihen pranë skenës së krimit në momentet e konfliktit.

Pas goditjes, 31-vjeçari është ndihmuar fillimisht nga persona të pranishëm në zonë dhe është transportuar me automjet drejt spitalit. Megjithatë, për shkak të plagëve të marra, ai ka humbur jetën gjatë rrugës.

Sipas të dhënave paraprake, konflikti dyshohet të ketë nisur për motive të mëparshme personale. Burime hetimore bëjnë me dije se një nga pistat e hetimit lidhet me një përplasje të mëhershme mes palëve.

Policia ka shpallur në kërkim Gazmend Buçpapën, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit