

Eva Dumani, tashmë ndodhet në shtëpi. Një rrugëtim që u deshën 12 vite të finalizohej me sukses, pas dështimit të disa tentativave private dhe shtetërore.
Për ish-drejtorin e anti-terrorrit Gledis Nano i cili ka udhëhequr operacione të mëparshme për riatdhesimin e Evës dhe shqiptarëve të tjerë nga Siria, operacioni i fundit ishte mjaft kompleks.
“Në gjykimin tim është një operacion shumë i vështirë për shkak të periudhës kur është ndërmarrë. Situata e sigurisë në Sirinë Veri-Lindore është shumë e tensionuar. Dhe mendoj se Peshën kryesore për suksesin e këtij operacioni e ka daja i Evës”, u shpreh Nano.
Vëllai i Evës Endri, u shpëtua nga ferri i kampit Al Hol, tetorin e vitit 2020 në një operacion shpëtimi nga autoritetet shqiptare ndërsa Evën radikalët e kampit e penguan t’i bashkohej familjes.
“E penguan të kthehej. Almira Daci e pengoi. As ajo vetë nuk u kthye refuzoi të riatdhesonim dhe fëmijët e saj. Ajo pengoi të gjithë që mundi duke i zhvendosur nga vendi ku ne ndodheshim”, tha ish-drejtori i anti-terrorit.
Kthimi pranë familjes nuk është fundi. Eva tashmë do të nisë një rrugëtim drejt rehabilitimit për të jetuar në liri.
“Do të kryhet një ekzaminim mjekësor, i shëndetit mendor dhe vlerësim psikologjik. Do të shihet niveli i shkollimit dhe më pas do të nisë një program i dedikuar. Në këtë program do të qëndrohet derisa të vlerësohet nga ekspertët e fushës së sa zhvillim ka pasur ky person”, shprehet Nano.
Nga të dhënat rezulton se prej 2012 drejt Sirisë kanë shkuar rreth 150 shqiptarë të cilët u radikalizuan për t’iu bashkuar ISIS. Aktualisht mendohet se vetëm 30 prej tyre vijojnë të jenë në Siri.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






