

Një mësues në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer” në Tiranë është përjashtuar nga detyra, pasi dyshohet se ka ushtruar propagandë fetare në ambientet e institucionit arsimor, konkretisht lidhur me fenë e Dëshmitarëve të Jehovait.
Vendimi për largimin e tij nga puna është marrë më 6 shkurt 2026. Për rastin ka reaguar zyrtarisht Drejtoria Rajonale Arsimore Parauniversitare e Tiranës, e cila ka dhënë sqarime mbi hapat proceduralë të ndjekur.
Sipas deklaratës zyrtare, procedura ka nisur pas një ankese të depozituar nga dy prindër më 2 shkurt 2026. Menjëherë pas marrjes së ankesës, drejtoria e shkollës ka kryer verifikime në bashkëpunim me shërbimin psikosocial të institucionit.
Gjatë procesit të verifikimit, përfaqësues të drejtuesve të shkollës dhe shërbimit psikosocial kanë hyrë në orën mësimore të zhvilluar nga mësuesi dhe kanë administruar materialet e përdorura gjatë mësimit.
Pas përfundimit të verifikimeve, rasti i mësuesit, shtetasit D.Z., është trajtuar sipas procedurave ligjore dhe institucionale në fuqi. Po më 2 shkurt 2026, drejtoria e shkollës ia ka referuar çështjen Komisionit të Etikës, i cili është mbledhur në të njëjtën datë.
Më 3 shkurt 2026 është mbledhur Komisioni i Disiplinës, i cili ka marrë vendimin përfundimtar. Sipas Drejtorisë Rajonale Arsimore, vendimi është marrë me votim të fshehtë, ku 7 anëtarë kanë votuar pro masës disiplinore “largim nga puna”.
Drejtoria Arsimore thekson se i gjithë procesi është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi, përfshirë Kodin e Punës, ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar”, rregulloren e institucioneve arsimore parauniversitare dhe Kodin e Etikës së Mësuesit.
Po ashtu, sipas sqarimit zyrtar, janë respektuar edhe të drejtat e mësuesit për t’u dëgjuar. Ai është njoftuar që të paraqitet më 9 shkurt 2026 për të shprehur qëndrimin e tij lidhur me vendimin e marrë.
Që prej datës 3 shkurt 2026, mësuesi Dritan Zaimi nuk ka zhvilluar më orë mësimore në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer”.
Njoftim mbi rastin e mësuesit të gjuhës angleze në shkollën “Gustav Mayer”:
Në vijim të ankesës së paraqitur nga dy prindër më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës 9-vjeçare “Gustav Mayer” ka kryer menjëherë verifikimet përkatëse, në bashkëpunim me shërbimin psikosocial të institucionit. Në kuadër të këtij procesi, drejtoria dhe shërbimi psikosocial kanë hyrë në orën e mësimit të zhvilluar nga mësuesi dhe kanë administruar materialet përkatëse të përdorura gjatë procesit mësimor.
Bazuar në gjetjet e verifikimit, ndaj mësuesit z. Dritan Zaimi janë ndjekur procedurat ligjore dhe institucionale në fuqi. Konkretisht:
• Më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës i ka përcjellë rastin Komisionit të Etikës (shkresa nr. 29 prot.), i cili u mblodh në të njëjtën datë.
• Me shkresën nr. 30 prot., Komisioni i Etikës ka referuar çështjen për shqyrtim në Komisionin e Disiplinës.
• Më datë 03.02.2026, Komisioni i Disiplinës u mblodh dhe, me votim të fshehtë, vendosi me 7 vota pro masën disiplinore “largim nga puna”.
Në zbatim të legjislacionit në fuqi, përfshirë Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, rregulloren për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare dhe Kodin e Etikës së Mësuesit, Drejtoria e shkollës ka nisur procedurën për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së punës.
Në respektim të afateve dhe të drejtës për t’u dëgjuar, mësuesi është njoftuar për t’u paraqitur më datë 09.02.2026, me qëllim parashtrimin e qëndrimit të tij lidhur me vendimin e marrë.
Që prej datës 03.02.2026, z. Zaimi nuk ka zhvilluar më orë mësimore në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer”.
Institucionet arsimore mbeten të angazhuara për respektimin e standardeve profesionale, etikës dhe sigurisë së nxënësve, duke vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat përkatëse.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






