

Një mësues i gjuhës angleze në një shkollë 9-vjeçare në Tiranë është larguar nga detyra, pasi prindërit denoncuan se ai predikonte fenë e Jehovait gjatë orëve mësimore, në shkelje të parimit të arsimit laik.
Ngjarja ka ndodhur në shkollën “Gustav Majer” (foto), ku sipas prindërve dhe dëshmive të nxënësve, mësuesi Dritan Zaimi përdorte orët e anglishtes për të folur mbi doktrina fetare, duke u shfaqur fëmijëve video me përmbajtje fetare dhe duke u dhënë detyra të lidhura me literaturën e Dëshmitarëve të Jehovait.

Alarmi u ngrit nga prindërit e nxënësve të klasës së katërt, të cilët u drejtuan në fillim të javës në drejtori, pasi u njohën me përmbajtjen e materialeve që fëmijët kishin në fletore. Pas verifikimeve të kryera nga komisioni i disiplinës, u vendos masa e pushimit nga puna e mësuesit Dritan Zaimi.
Një nga nxënësit ka treguar se gjatë mësimit flitej për Zotin dhe fundin e botës, ndërsa notat e larta jepeshin për detyra me përmbajtje fetare. Prindërit e cilësojnë situatën si të papranueshme, duke theksuar se besimi fetar është çështje personale dhe nuk ka vend në ambientet shkollore.

"5 orë mësim për Zotin. Thoshte fjalët e Zotit për fundin e botës. Na vendoste vetëm 10 duke folur për Jehovain”, shprehet një nga nxënësit.
“Ka ndodhur një gjë e paparë, a ka më turp dynjaja, t’i thuash fëmijës ‘vdis sot, se do ngjallesh nesër?!’ Ti jashtë, në mbasdite, ki besimin tënd, po në shkollë jo. Gabim që nuk falet!”, thonë prindërit.
Megjithëse disa prindër deklarojnë se nuk kishin pasur shqetësime më herët dhe ishin të kënaqur me rezultatet mësimore, drejtuesit e institucionit arsimor dhe strukturat përkatëse vendosën largimin e mësuesit, duke e konsideruar rastin një shkelje të rregullores dhe ligjit që garanton arsimin laik në Shqipëri.
“Duaje Perëndinë tënde me gjithë zemër”, çfarë detyrash shtëpie i jepte profesori nxënësve të klasave të katërt
Mësuesi i anglishtes në shkollën 9-vjeçare “Gustav Majer” ka predikuar fenë e Jehovait me nxënësit e arsimit bazë, dhe pas shqetësimit të prindërve, profesori është përjashtuar.
Mësuesi i anglishtes shfrytëzonte orën e mësimit për të diskutuar tema fetare. Ndonëse shquhej si mësues i përgatitur në njohuritë e lëndës, kishte prindër pa dijeni mbi rastin ose të kënaqur me rezultatet e notave.
Me video për dashurinë hyjnore për Zotin dhe detyra në fletore për nxënësit e fillores, që lidhen me urdhërimet e Perëndisë, si këto foto të siguruara nga Top Channel, prindërit e klasës së katërt ngritën alarmin në drejtorinë e shkollës në fillim të javës.
“Dy Urdhërimet më të Mëdha
-Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.
-Duaje fqinjin tënd si veten tënde”, shkruhej në detyrat e shtëpisë të fëmijëve, të cilat i ishin dhënë nga mësuesi.
Lëvdimi i Jehovait në shkollë duket se promovohet edhe nga ithtarët e kësaj feje të cilët në faqe zyrtare tregojnë madje dhe shembuj se si ndodh kjo:
"E lëvdojnë Jehovain në shkollë
ANEMBANË botës, të rinjtë që janë Dëshmitarë të Jehovait, po e lëvdojnë Jehovain në mënyra të ndryshme në shkollë, si me anë të të folurit, ashtu edhe të sjelljes…"

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






