Transmetuar më 27-01-2026, 12:30

Tiranë, 27 janar 2026 – Një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të trefishtë në Maqedoninë e Veriut është arrestuar nga Policia e Shtetit në zonën e Liqenit të Thatë, në kryeqytet.

I arrestuari është identifikuar si Besim Sherifi, 52 vjeç, i cili dyshohet se ishte fshehur në Tiranë prej rreth 10 vitesh. Sipas burimeve policore, ai përdorte identitet të rremë, duke u paraqitur si shtetas kosovar, ndërsa dokumentet e sekuestruara gjatë arrestimit dyshohet se janë të falsifikuara.

Operacioni u krye pas informacioneve operative të siguruara rreth dy muaj më parë, sipas të cilave një person i skeduar për vrasje ndodhej në një apartament me qira në zonën e Liqenit të Thatë. Pas verifikimeve dhe shkëmbimit të informacionit me autoritetet e Maqedonisë së Veriut, u konfirmua se Sherifi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjatë ndërhyrjes së forcave operacionale, 52-vjeçari ka mohuar identitetin dhe akuzat, por verifikimi i gjurmëve të gishtërinjve konfirmoi se bëhej fjalë për personin e kërkuar.

Besim Sherifi akuzohet për një ngjarje të ndodhur në vitin 2007 në fshatin Kopanicë, në zonën e Shkupit, ku mbetën të vrarë tre persona. Për këtë çështje, ndaj tij ishte vendosur masa e arrestit në burg në mungesë, ndërsa sipas legjislacionit penal të Maqedonisë së Veriut, vepra penale parashikon dënim me burgim të përjetshëm.

Autoritetet shqiptare po ndjekin procedurat ligjore për ekstradimin e tij.

Çfarë ndodhi më 5 tetor 2007

Në Kopanicë të Shkupit më 5 tetor 2007 ndodhi një konflikt i ashpër mes dy familjesh. Situata precipitoi pasi një vajzë nga familja Jusufi ishte larguar dhe ishte strehuar tek familja Sherifi.

Mes palëve ndodhi një përplasje afër varrezave të zonës. Atje u vra 32 vjeçari Zija Jusufi.

Krimi vijoi dhe në një banesë ku u kryen dy vrasje të tjera.

Më herët për këtë krim të trefishtë ishin dënuar me burgim të përjetshëm Mit’hat Sherifi dhe djali i tij Sabri Sherifi.

Për të njëjtën ngjarje u dënua me 10 vjet burg Fatmir Sherifi.

Në kërkim u shpall Besim Sherifi sot 52 vjeç, që shikoni në foto.

Si iu zbulua i kërkuari dhe çfarë tha kur u rrethua nga policia

Besim Sherifi kishte kohë që jetonte në Tiranë. Ai kishte marrë një apartament te zona e Liqenit të Thatë dhe prej kohësh ishte i lirë jashtë vëmendjes policore.

Në rrugë operative, policia mësoi fundvitin e kaluar se një person në kërkim jetonte në arrati te zona e Liqenit të Thatë dhe e vunë nën vëzhgim.

U deshën disa javë që të bëhej verifikimi i tij dhe të ndërmerrej aksioni i sotëm.

Kur një grup policor shkoi tek apartamenti ku jetonte, Besimi mohoi të ishte ai që e thirrën. "Nuk jam unë personi që kërkoni. Nuk kam bërë asnjë vrasje. As që jam nga Maqedonia. Jam shtetas i Kosovës", tha i kërkuari duke paraqitur kartë identiteti false.

Por policia duket se ishte e përgatitur. Atij iu morën gjurmët e gishtërinjve dhe u krahasuan me ato të sjella nga policia maqedonase.

Pasi iu hodhën prangat, mbi të u ngrit dhe akuza e falsifikimit të dokumenteve.

18 vjet i shpëtoi ndjekjes policore, “Liqeni i Thatë” “tradhton” burrin që kërkohej për 3 vrasje

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit