Transmetuar më 27-01-2026, 09:28

Një person i kërkuar prej vitesh për një ngjarje të rëndë penale jashtë vendit është zbuluar dhe kapur në Tiranë, pas një hetimi të gjatë dhe të detajuar nga strukturat speciale të Policisë së Shtetit.

Bëhet fjalë për një 52-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, i cili fshihej prej kohësh në kryeqytet duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara, në emër të një shtetasi nga Kosova. Lokalizimi i tij u bë në zonën e Liqenit të Thatë, në kuadër të fazës së 80-të të operacionit policor të koduar “Operacionalja”.

Sipas Policisë së Shtetit, kapja e tij është rezultat i disa muajsh hetime dhe gjurmime të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale. Pas verifikimeve të thelluara, u konfirmua se shtetasi i shoqëruar ishte Besim Sherifi, 52 vjeç, banues në Kopanicë, Saraj, Maqedonia e Veriut, ndaj të cilit Gjykata e Shkupit kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” që në vitin 2007.

Ai akuzohet se në tetor të vitit 2007, në fshatin Kopanicë të Shkupit, ka qëlluar me armë zjarri duke shkaktuar vdekjen e tre shtetasve. Për këtë vepër, legjislacioni penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënim maksimal deri në burgim të përjetshëm.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën ku qëndronte, policia gjeti dhe sekuestroi një pasaportë, kartë identiteti dhe leje drejtimi kosovare, të gjitha të dyshuara si të falsifikuara. Për përdorimin e këtyre dokumenteve është referuar një procedim i veçantë për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” pranë Prokurorisë së Tiranës.

Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Shkupin, ka nisur procedurat për ekstradimin e 52-vjeçarit drejt Maqedonisë së Veriut, ku pritet të përballet me drejtësinë për akuzat e rënda që rëndojnë mbi të. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit