

Policia e Shtetit deklaroi sonte se 11 efektivë rezultojnë të lënduar nga molotovë dhe sende të forta. Deklarata pasoi një reagim të PD që tha se kishte verifikuar se asnjë polic nuk ka marrë qoftë dhe ndihmë të parë në spitale.
Sipas Policisë, gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e sotme nga Partia Demokratike, janë regjistruar episode dhune ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, me pasojë plagosjen e disa efektivëve.
Sipas informacioneve zyrtare të Policisë, si pasojë e sulmeve me bomba molotov dhe sende të forta, 11 punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar dhe po marrin ndihmën e parë mjekësore. Ngjarjet më të rënda janë shënuar para Kryeministrisë dhe Parlamentit, ku protestues të dhunshëm kanë hedhur molotovë, gurë dhe objekte të tjera të forta në drejtim të forcave të rendit.
PD përgënjeshtron Policinë: Asnjë efektiv policie nuk është paraqitur për ndihmë të parë në spitale
Policia ka bërë thirrje të përsëritur për ndaljen e sulmeve dhe distancimin nga personat e dhunshëm, duke kërkuar që protesta të zhvillohet pa akte dhune dhe pa rrezikuar jetën e punonjësve të rendit dhe qytetarëve.
Ndërkohë, grupet hetimore kanë nisur punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme, ndërsa shërbimet e Policisë kanë identifikuar personat që dyshohet se kanë sulmuar efektivët dhe vijon puna për shoqërimin e tyre.
Policia thekson se çdo akt dhune do të trajtohet sipas ligjit dhe se situata po monitorohet në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






