

Partia Demokratike reagoi sonte dhe tha se i konsideron mashtrime dhe të pabaza pretendimet e policisë se janë plagosur 12 efektivë policie.
"Sipas informacioneve tona të grumbulluara në mënyrë operative në të gjitha spitalet e kryeqytetit, asnjë efektiv policie nuk është paraqitur për ndihmë të parë.
Përpjekja për të ngjyrosur me dhunë një protestë masive kundër narkoregjimit, nuk është gjë tjetër veçse frika e Ramës dhe shërbëtorëve të tij se zhvillimet politike në Shqipëri kanë arritur në ‘kilometrin e fundit’.
Partia Demokratike thekson se, jo vetëm nuk ka policë të plagosur, por ka dhjetëra protestues të lënduar dhe dhjetra të tjerë të arrestuar, shpesh në mënyrë të paligjshme nga patronazhistë të qeverisë, njerëz pa uniformë dhe pa simbolet e policisë.
Sakaq PD paralajmëron se "çdo tejkalim i ligjit do të merret shënim dhe çdo abuzues do të mbajë përgjegjësi të plota."
Nga ana tjetër, Partia Demokratike "falenderon edhe njëherë të gjithë mbështetësit dhe protestuesit, dhe siguron të ndaluarit dhe familjarët e tyre, se ata do të marrin çdo ndihmë ligjore dhe mbështetje".
Ndërsa ka një tjetër paralajmërim: "Ky është fillimi i fundit për narkoregjimin dhe narkopolicinë. Tërbimi i demonstruar sonte me përdorim gazrash helmuese dhe dhune të shpërpjestuar është dëshmi e kësaj". /noa.al


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






