Transmetuar më 24-01-2026, 00:13

Formulë qumështi për foshnje tërhiqet nga tregu shqiptar pas dyshimeve për ndotje bakteriale

Autoritetet hetimore franceze po shqyrtojnë vdekjen e dy foshnjave që kishin konsumuar produkte qumështi për bebe, të cilat ishin tërhequr së fundmi nga tregu në mënyrë parandaluese, bëri të ditur sot Ministria franceze e Shëndetësisë, citon noa.al.

Një nga foshnjat, e cila humbi jetën në qytetin Pessac, në jugperëndim të Francës, ishte ushqyer me qumësht pluhur Guigoz, i prodhuar nga Nestlé. Prokurori i Bordosë konfirmoi se është në zhvillim një hetim për shkaqet e mundshme të vdekjes.

Ministria theksoi se deri më tani nuk ka prova që vërtetojnë se vdekjet lidhen drejtpërdrejt me këto produkte të qumështit për bebe.

Çfarë deklaroi Nestlé

Nestlé dhe gjiganti i produkteve të qumështit Lactalis njoftuan të mërkurën se kanë tërhequr gjashtë seri qumështi për bebe të markës “Picot” në Francë dhe në disa shtete të tjera, për shkak të “pranisë së mundshme” të cereulidit, një toksinë që mund të shkaktojë diarre dhe të vjella. Kjo substancë me origjinë bakteriale lidhet me një përbërës të furnizuar nga një furnitor ndërkombëtar.

Reuters bëri të ditur se nuk ka qenë e mundur të konfirmohet menjëherë se çfarë qumështi për bebe kishte konsumuar foshnja e dytë.

Nestlé deklaroi se është në dijeni të hetimeve në zhvillim. “Siç kanë theksuar autoritetet, në këtë fazë asgjë nuk tregon se ekziston një lidhje mes këtyre ngjarjeve tragjike dhe konsumimit të produkteve tona”, thuhet në një përgjigje me email të kompanisë për Reuters.

Nga ana e saj, Lactalis theksoi se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga autoritetet shëndetësore.

Edhe Danone

“Dy raportime për vdekje foshnjash janë paraqitur pranë autoriteteve shëndetësore, që lidhen me fëmijë për të cilët është raportuar se kanë konsumuar qumështin për bebe të tërhequr nga tregu. Deri më sot, nuk është provuar shkencërisht asnjë lidhje shkakësore”, theksoi Ministria franceze e Shëndetësisë në një deklaratë.

“Analiza të mëtejshme janë në zhvillim dhe këto raste po hetohen nga prokurorët përkatës”, shtoi ministria.

Lactalis ka tërhequr produkte qumështi për bebe në 18 vende, ndërsa Nestlé në dhjetëra shtete të tjera. Një tjetër kompani franceze, Danone, ka bllokuar një seri qumështi për bebe të prodhuar posaçërisht për tregun e Singaporit.

Të tre kompanitë kanë deklaruar se masat janë marrë në mënyrë parandaluese.

Ministria franceze e Bujqësisë njoftoi të mërkurën se rezultatet e para të një hetimi gjyqësor për këtë çështje priten brenda 10 ditëve të ardhshme. Sipas saj, hetimet kanë identifikuar një vaj të pasur me acid arahidonik (ARA), i prodhuar nga një furnitor kinez, si burim i mundshëm i ndotjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit