

Të dhënat janë pjesë e raportit “Në humnerën e pabarazisë, si të dalim prej saj dhe të mbrojmë demokracinë”, publikuar me rastin e hapjes së Forumit Ekonomik Botëror në Davos
Një pasuri rekord prej 18 mijë e 300 miliardë dollarësh, e paprecedentë në histori, është e përqendruar sot në duart e pak më shumë se 3.000 miliarderëve në mbarë botën. Ndërkohë, ana tjetër e medaljes është dramatike: miliarda njerëz vazhdojnë të përballen me varfërinë, urinë dhe rrezikun për të vdekur nga sëmundje plotësisht të parandalueshme.
Sipas një analize ndërkombëtare të publikuar nga Oxfam, pasuritë e miliarderëve globalë janë rritur në vitin 2025 me 2 mijë e 500 miliardë dollarë, një shifër pothuajse e barabartë me pasurinë totale të zotëruar nga gjysma më e varfër e njerëzimit, rreth 4,1 miliardë persona. Në të njëjtën kohë, ritmi i uljes së varfërisë globale ka mbetur i pandryshuar për gjashtë vitet e fundit, ndërsa varfëria ekstreme është sërish në rritje në Afrikë.
Sipas Oxfam që citon noa.al, pasuria e grumbulluar globale do të ishte e mjaftueshme për të zhdukur varfërinë ekstreme 26 herë, por pabarazia ekonomike vazhdon të thellohet.
Të dhënat janë pjesë e raportit “Në humnerën e pabarazisë, si të dalim prej saj dhe të mbrojmë demokracinë”, publikuar me rastin e hapjes së Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
Raporti thekson se pasuria e super të pasurve është rritur me 16% në terma realë vetëm gjatë vitit 2025, tre herë më shpejt se mesatarja e pesë viteve të fundit. Krahasuar me vitin 2020, pasuria e tyre është rritur me 81%.
Vetëm 12 miliarderët më të pasur të botës zotërojnë një pasuri prej 2.635 miliardë dollarësh, më shumë se ajo e 4,1 miliardë njerëzve, që përbëjnë gjysmën më të varfër të popullsisë globale. Oxfam e cilëson këtë si një përqendrim pasurie të paprecedentë në histori.
Ndërkohë, realiteti social është alarmant:
1 në 4 persona në botë vuan nga pasiguria ushqimore
Gati gjysma e popullsisë globale jeton në varfëri
Raporti vëren gjithashtu se sot një miliarder ka 4.000 herë më shumë gjasa të mbajë poste politike sesa një qytetar i zakonshëm. Në të njëjtën kohë, përqindja e popullsisë botërore që jeton në regjime autokratike është rritur me gati 50%. Nëse në vitin 2004 1 në 2 persona jetonte në një demokraci, sot kjo shifër ka rënë në vetëm 3 në 10.
Sipas Oxfam, shkurtimet e ndihmave ndërkombëtare të ndërmarra vitin e kaluar nga qeveritë e vendeve të pasura mund të shkaktojnë, në vendet më të varfra, mbi 14 milionë vdekje shtesë deri në vitin 2030.
Raporti ngre alarmin për një botë gjithnjë e më të pabarabartë, ku pasuria dhe pushteti përqendrohen në pak duar, ndërsa demokracia dhe mirëqenia globale rrezikojnë të dobësohen më tej./noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






