

Aktori dhe regjisori i njohur Mevlan Shanaj ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me Televizionin Publik Shqiptar, duke i cilësuar ato si një akt dorëzimi dhe largimi nga standardet europiane.
Në një postim në rrjetet sociale, Shanaj i drejtohet kryeministrit me tone kritike, duke theksuar se përpara se të flitet për mbylljen e RTSH-së, duhet të ketë përgjegjësi politike për qeverinë dhe vartësit e saj, të cilët sipas tij janë përfshirë në skandale të shumta dhe hetime për shkelje të rënda ligjore.
“Më parë shkarko qeverinë që është bërë shumë pis”, shkruan Shanaj, duke nënvizuar se braktisja e Televizionit Publik nuk përputhet me aspiratën europiane të vendit. Sipas tij, nuk ekziston asnjë shtet europian pa një televizion publik funksional dhe përpjekja për ta mbyllur atë përbën një sinjal të gabuar për integrimin në Bashkimin Europian.
Artisti thekson se RTSH-ja, pavarësisht ndërhyrjeve politike ndër vite, ka qenë një institucion themelor për formimin kulturor dhe arsimor të shoqërisë shqiptare, duke e quajtur atë “universitetin e dijes së shqiptarëve”.
Në fund të reagimit, Shanaj paralajmëron se një qasje e tillë ndaj institucioneve publike do të sillte pasoja në raportet me Europën. “Në Europë do t’ju mbyllet dera me këtë mendësi”, shprehet ai, duke e konsideruar idenë e mbylljes së RTSH-së si të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat europiane.
Deklarata e plotë:
"Më parë shkarko qeverinë që është bërë shumë pis.
Të dorëzohesh z. Kryeministër duke e braktisur RTSH do të thotë të mos kërkosh t’i bashkohesh Europës. Nuk ka shtet në Europë pa Televizion Publik. Më parë kërkoni dorëheqjen e stafit tuaj se sa mbylljen e Televizionit Publik.
Duhet të dini bashkë me ata që ju bëjnë fresk se Televizioni Shqiptar u krijua nga hiçi dhe u bë universiteti i dijes së shqiptareve edhe pse ishte nën komandën e politikës.
Fjala dorëzim është një miklim për artistin Edi Rama. Në Europë do tu mbyllet dera me këtë mendësi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






