

Rama për RTSH: Çdo opsion duhet të jetë në tryezë: mbyllja përfundimtare, privatizimi, partneriteti – gjithçka, përveç kësaj gjendjeje që është sot
Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer me tone të forta ndaj Radio Televizionit Shqiptar, duke e cilësuar si një dështim total dhe duke e quajtur “shërbimin më mizerabël publik në gjithë globin”.
Duke folur sot para ministrave dhe deputetëve socialistë, Rama u shpreh se përpjekjet për reformimin e RTSH-së kanë dështuar plotësisht, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme ndër vite.
“Ne kemi tentuar të krijojmë kushtet që RTSH të reformohet dhe kemi dështuar me suksesin më të plotë. Bilanci është një dështim i suksesshëm: nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja e publikut në mospërfillje. Sot në Shqipëri nuk kemi televizion publik,” tha Rama.
Kryeministri deklaroi se nuk e ndjek RTSH-në dhe se hera e fundit që e ka parë si shikues ka qenë në vitin 1990. Ai shtoi se edhe kur ka qenë i ftuar në emisione të këtij institucioni, mungesa e audiencës ka qenë evidente.
“Janë të vetmet intervista pas të cilave nuk kam marrë asnjë mesazh. Kam qenë në studio, i kam parë ata në sallë, por jashtë studios nuk më ka parë njeri,” u shpreh ai.
Rama theksoi se drejtuesit e RTSH-së nuk kanë marrë kurrë ndërhyrje apo udhëzime nga ana e tij dhe se problemi nuk lidhet me presion politik, por me mungesën e performancës.
Ai hodhi idenë e një kërkimfaljeje publike nga RTSH ndaj qytetarëve dhe familjeve shqiptare për shërbimin e dobët të ofruar ndër vite.
“U kam thënë drejtuesve: mbylleni ekranin dhe dilni të kërkoni ndjesë publike. Premtoni se do riktheheni vetëm kur të jeni gati për një reformë të vërtetë,” tha Rama.
Kryeministri ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi faktin se televizione private, me buxhete shumë më të vogla, arrijnë të kenë më shumë sukses se RTSH-ja, ndërsa theksoi se qeveria nuk do të japë më fonde publike pa meritë.
“Nuk do të japim asnjë lek nga taksat e shqiptarëve deri sa RTSH t’i meritojë. Çdo opsion duhet të jetë në tryezë: mbyllja përfundimtare, privatizimi, partneriteti, gjithçka përveç kësaj gjendjeje aktuale,” deklaroi Rama.
Në fund, ai u distancua nga çdo përpjekje për të ndërhyrë në media, duke theksuar se nuk ka ndërmend të përfshihet në rregullimin e mediave publike apo private.
"Amanet Televizionin Publik dhe Ministrinë e Jashtme!", përfundoi Rama.
Pjesa e fjalës ku ndalet te RTSH
"Unë kështu mendoj. Unë e di që ju qan zemra për mediat, mua më qan dhe më shumë se kam qenë dhe unë si puna jote atje i mediave, por unë jam pak ndryshe. Kështu që mendoni, unë mendoj që çdo gjë duhet, çdo opsion duhet të jetë në tavolinë. Edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti edhe çdo gjë përveç kësaj që është, por unë nuk marr pjesë në këtë, siç nuk marr pjesë ti e di në asnjë lloj tentative për të rregulluar median. E bëra këtë “aventurë”, thjesht dhe vetëm për pak gjëra dhe i mbeti Shqipërisë atje ai paragrafi “drafti i ligjit për median”. Ndërkohë që sot BE diskuton shumë më tepër se aq, por unë nuk e bëj këtë, nuk merrem as me televizionin shqiptar publik, as me mediat online. Ju që vuani shpifjet e tyre, merruni, unë personalisht e kam marrë parasysh që po u morëm më këtë punë, ata këtë punë kanë se këtë punë dinë të bëjnë, s’dinë të bëjnë asnjë punë tjetër. Të shpifin, të vënë gjoba edhe të sakatojnë kë të munden. Kjo është puna e tyre, jo të gjithë fatmirësisht, por në tërësi siç është bërë një sëmundje në gjithë Europën, por unë nuk merrem. Merruni ju."
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






