

Spiropali: SHBA nuk ka bllokuar vizat për shqiptarët, ndryshon vetëm politika e qëndrimit
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar ndaj spekulimeve që qarkullojnë së fundmi lidhur me një bllokim të vizave amerikane për qytetarët shqiptarë, duke sqaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndaluar lëvizjen apo udhëtimin e shqiptarëve drejt SHBA-së.
Në një deklaratë të bërë gjatë udhëtimit me tren drejt Kievit, ku pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare dhe të takohet me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si dhe ministrin e Jashtëm Andrii Sybiha, Spiropali theksoi se bëhet fjalë për keqinterpretime dhe trillime politike.
Sipas saj, vendimi i fundit i autoriteteve amerikane nuk prek vizat turistike, studentore, të biznesit apo vizitat familjare, ndërsa askush nuk ndalohet të udhëtojë drejt SHBA-së si qytetar, student, turist apo zyrtar.
“Rregullat që po rishikohen kanë të bëjnë vetëm me politikat e qëndrimit dhe imigracionit, në përputhje me politikat e reja të administratës amerikane,” deklaroi Spiropali.
Ministrja sqaroi se pezullimi i përkohshëm i përpunimit të vizave të imigracionit është pjesë e një rishikimi më të gjerë që prek 75 shtete, përfshirë edhe disa vende të Ballkanit Perëndimor, dhe nuk ka në asnjë mënyrë karakter ndëshkues apo selektiv ndaj Shqipërisë.
Ajo nënvizoi se ky vendim vjen si masë për të kufizuar abuzimet me sistemin amerikan të migracionit dhe nuk lidhet me lista të zeza apo masa politike ndaj shqiptarëve.
“Shqipëria ka qenë dhe mbetet një aleate dhe partnere strategjike e SHBA-së,” theksoi Spiropali, duke shtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të forta dhe të qëndrueshme, të bazuara në vlera dhe interesa të përbashkëta.
Reagimi i plotë i Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë udhëtimit me tren për në Kiev, ku do të pritet nga Presidenti Volodymyr Zelensky dhe Ministri i Jashtëm, Andrii Sybiha:
"Mirëmëngjes nga një udhëtim i gjatë drejt Kievit, ku do të jem në një vizitë zyrtare për të rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë në krah të Ukrainës, në kushtet e sulmeve masive që targetojnë infrastrukturën kritike dhe popullatën civile në mes të një dimri të egër.
Kam ndjekur me vëmendje gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme rrebeshin e spekulimeve politike mbi çështjen e vizave drejt SHBA.
Ndërkohë që Shqipëria sot respektohet e çmohet kudo dhe është më aktive se kurrë, disa të udhëhumbur në Tiranë kanë vënë kujën se SHBA-të, sipas tyre, kanë ngrirë dhe bllokuar vizat për shqiptarët.
Fabula e tyre e çartur shkon aq larg, sa deklarojnë se partnerët tanë historikë dhe strategjikë, e kanë futur Shqipërinë në listën e zezë. E paimagjinueshme!
Në fakt, të dyja këto, janë fund e krye trillime politike. E vërteta është se vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve. Kurrsesi! Nuk janë bllokuar as vizat për qëllime turistike, studentët, biznesi, vizita te familjarët apo evente të lidhura me punën.
Askush nuk ndalohet të udhëtojë dhe të vizitojë si turist, student, qytetar apo edhe zyrtar, por rregullat e Qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të imigracionit.
Pra nuk bëhet fjalë për një vendim që targeton Shqipërinë, por për një rishqyrtim lidhur me procesimin e vizave për qëllime imigrimi në SHBA për 75 vende, përfshirë 5 vende të Ballkanit Perëndimor.
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se do të pezullohet përpunimi i vizave të imigracionit deri në rishikim zyrtar, dhe ky vendim vjen si pjesë e masave të administratës amerikane për të kufizuar abuzimet me avantazhet që ofron sistemi amerikan i migracionit.
Pra shkurt dhe thjesht, vendimi nuk ka të bëjë asgjëkundi me fabrikime nga më të çuditshmet për nongrata imagjinare mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Përtej gjithë kësaj tymnaje, një e vërtetë e madhe është e qartë si drita e diellit: Shqipëria ka qenë dhe mbetet aleati dhe partneri strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend mik me të cilin na bashkon një rrugë e gjatë dhe e pandashme vlerash dhe qëllimesh."
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






