

Pas pezullimit të programit të lotarisë amerikane, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka njoftuar ndalimin e dhënies së vizave për qytetarë nga Shqipëria duke nisur nga data 21 janar. Vendimi përfshin Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe 71 vende të tjera të botës.
"SHBA-të ngrijnë të gjitha procedurat e vizave për 75 vende, përfshirë Somalinë, Rusinë dhe Iranin. Somalia, Afganistani, Brazili, Nigeria dhe Tajlanda janë ndër vendet e prekura nga pauza e pacaktuar duke filluar nga 21 janari", thuhet në titullin qendror të rrjetit televiziv amerikan Fox News.

Sipas një memorandumi të Departamentit të Shtetit, i siguruar fillimisht nga Fox News, zyrtarët konsullorë janë udhëzuar të refuzojnë aplikimet për viza në përputhje me legjislacionin ekzistues, ndërsa po kryhet një rishikim i plotë i procedurave të kontrollit dhe verifikimit të aplikantëve.
Pezullimi do të hyjë në fuqi më 21 janar dhe nuk ka një afat të përcaktuar për përfundimin e tij, pasi do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e rivlerësimit të procesit të vizave të emigracionit nga Departamenti i Shtetit.
Në nëntor të vitit 2025, DASH u kishte dërguar përfaqësive diplomatike amerikane në mbarë botën një udhëzim të ri për zbatimin e rregullave më të rrepta të kontrollit, bazuar në dispozitën e njohur si “public charge” të ligjit amerikan të emigracionit. Kjo dispozitë u kërkon zyrtarëve konsullorë të refuzojnë vizat për aplikantët që vlerësohen se mund të bëhen barrë për sistemin e ndihmës publike në Shtetet e Bashkuara.
Në vlerësimin e aplikantëve do të merren parasysh disa faktorë, përfshirë gjendjen shëndetësore, moshën, njohuritë e gjuhës angleze, situatën financiare dhe nevojën e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë. Sipas këtyre kritereve, aplikantët më të moshuar, mbipeshë, ata që kanë përfituar më parë ndihmë financiare shtetërore apo kanë qenë të institucionalizuar, mund të refuzohen.
“Departamenti i Shtetit do të përdorë autoritetin e tij për të shpallur të papërshtatshëm emigrantët e mundshëm që do të bëheshin barrë publike për Shtetet e Bashkuara dhe do të shfrytëzonin bujarinë e popullit amerikan”, deklaroi zëdhënësi i DASH, Tommy Piggott.
Sipas Fox News, Shqipëria është një nga 75 vendet për të cilat do të pezullohet shqyrtimi i vizave të emigracionit duke nisur nga 21 janari.
Lista e vendeve për të cilat zbatohet pezullimi përfshin: Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antigua dhe Barbudën, Armeninë, Azerbajxhanin, Bahamas, Bangladeshin, Barbadosin, Bjellorusinë, Belizen, Butanin, Bosnje-Hercegovinën, Brazilin, Burmën, Kamboxhian, Kamerunin, Kepin e Gjelbër, Kolumbinë, Bregun e Fildishtë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Dominikën, Egjiptin, Eritrenë, Etiopinë, Fixhin, Gambian, Gjeorgjinë, Ganën, Grenadën, Guatemalën, Guinenë, Haitin, Iranin, Irakun, Xhamajkën, Jordaninë, Kazakistanin, Kosovën, Kuvajtin, Kirgistanin, Laosin, Libanin, Liberinë, Libinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Mongolinë, Malin e Zi, Marokun, Nepalin, Nikaraguan, Nigerinë, Pakistanin, Republikën e Kongos, Rusinë, Ruandën, Saint Kitts dhe Nevis, Saint Lucia, Saint Vincent dhe Grenadines, Senegalin, Sierra Leonen, Somalinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Tanzaninë, Tajlandën, Togon, Tunizinë, Ugandën, Uruguajin, Uzbekistanin dhe Jemenin.
"Departamenti i Shtetit do të përdorë autoritetin e tij të hershëm për të konsideruar emigrantë potencialë të papërshtatshëm që do të bëhen një barrë publike për Shtetet e Bashkuara dhe do të shfrytëzonin bujarinë e popullit amerikan", tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Piggott. "Imigracioni nga këto 75 vende do të ndalet ndërsa Departamenti i Shtetit rivlerëson procedurat e përpunimit të imigracionit për të parandaluar hyrjen e shtetasve të huaj që do të merrnin ndihmë sociale dhe përfitime publike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






