Transmetuar më 12-01-2026, 17:27

Një grua e re, nënë e tre fëmijëve, vazhdon të sulmohet e mallkohet publikisht, me fotografi, emër dhe mbiemër nga mijëra e mijëra njerëz në rrjet. Duke kërkuar edhe aplikimin e dënimit “vrasje me gurë”, si ndëshkim.

Histeria nisi nga një lajm në një portal, tërësisht i njënashëm, me burimin e vetëm, vjehrrën e gruas. Ajo e kishte denoncuar ish nusen e djalit të saj se kishte braktisur fëmijët, i kishte lënë mbyllur në shtëpi dhe kishte ikur. Në rrjet u hodhën ca foto që tregonin një apartament tërësisht të rrëmujshëm, sa dukej më shumë një “vendngjarje kinemaje”.

Ndëshkimi nisi menjëherë: “Kjo është gruaja monstër që braktisi fëmijë”! Ky ishte titulli i përdorur më së shumti.

Mund të jetë e vërtetë, se gruaja mund ti rrisë në kushte shumë të këqija fëmijët. Për këto arsye, fëmijët edhe mund të merren nga shërbimi social shtetëror. Por, diku lexova se ajo ka pohuar se jeton me qera dhe bën dy punë për të rritur e vetme femijet. Mendoj se me shume se akuza, ajo meriton ndihme dhe mbeshtetje.

Por, si është e mundur të lëshohet një lumë vreri ndaj një gruaje? Kush nga ju i do më shumë se ajo fëmijët e saj? Si mund të ngrihet akuza publike duke e treguar me gisht “nënën monstër”, pa qenë të sigurtë për të vërtetën?

Kush i bëri dhe kush ia dërgoi medias fotot e shtëpisë? Nëse e ka bërë vjehrra, sa i besueshëm mund të jetë lajmi, kur ajo ishte në një luftë për ti marr kujdestarinë e fëmijëve ish nuses së djalit?

Po sikur ajo grua, në vështirësi të mëdha për ti rritur fëmijët, në vend që ti nxjerrë të lypin në semafor, në këtë të ftohtë, ka zgjedhur ti mbyllë në shtëpi, e të shkojë të punojë?

Po sikur ky të jetë një inskenim i vjehrrës, çfarë i mbetet gjyqit popullor?

E them këtë, pasi vjehrra kishte nxituar të jetpe intervista nëpër televizione për të treguar se sa e papërgjegjshme është nëna e fëmijëve, “që paguante 400 mijë lekë për një lyertje flokësh”.

Me çfarë të drejtë, nxirrni një foto nga arkivi i gruas, me fustan të bardhë dhe e akuzoni se bën jetë luksi, ndërsa lë fëmijët mbyllur brenda?

Në të tilla histori familjare, nuk duhet të nxitojmë të nxjerrim fajtorët dhe tu bëjmë gjyqin. Kemi gjuajtur me gurë burra se kanë “përdhunuar” vajzat dhe më pas kemi kafshuar gjuhën, pasi ka dalë se kishte qëne bashkëshortja që donte dëbimin e burrit dhe kishte nxitur të bijën të denoncojë babanë.

Ndaj mbajeni dorën, ju që shkruani, në radhë të parë.

Ndoshta, ajo grua dhe fëmijët e saj, më shumë se për gjyqin popullor, sot kanë nevojë për ndihmë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit