

Një ngjarje me ndjeshmëri të lartë sociale ka shkaktuar reagim të gjerë publik, pas akuzave se 33-vjeçarja Blerina Basha ka braktisur tre fëmijët e saj të mitur në një banesë në Durrës. Rasti u denoncua nga ish-vjehrra e saj, e cila pretendon se fëmijët janë gjetur në kushte të papërshtatshme jetese dhe me probleme shëndetësore. Çështja u diskutua publikisht në një emision televiziv, ku palët u përballën drejtpërdrejt LIVE, duke dhënë deklarata të forta dhe kontradiktore. Autoritetet kanë nisur verifikimet për të sqaruar situatën dhe për të garantuar mbrojtjen e të miturve.
Deklaratat e ish-vjehrrës
“Kam jetuar në Itali. Kam 33 vite. Kisha një hall familjar dhe u ktheva në Durrës. Shkova të takoj nipërit. Mendova se nusja do ishte aty, do pastronte, do kujdesej. Hapa derën dhe ma hapi djali i dytë. Pashë bidona dhe ndjeva një erë të rëndë. U shokova. Fëmijët ishin të mbuluar në krevat me batanije.
Çuni i madh më tha: ‘nëna më merr në Itali’. I dridhej mjekra. Çfarë pashë aty, as në televizor nuk e kisha parë. Hyra në banjo dhe u trondita. I pyeta nëse kishin lekë dhe më tha çuni i madh që kishte vetëm 50 mijë lekë. Ua dhashë unë lekët. Nuk rrija dot aty, ika nga shtëpia dhe mora djalin në telefon, më tha ‘fëmijët po vdesin’. Më pas mora policinë.
Hymë në shtëpi dhe u pa gjendja. I çova fëmijët në polici. Zonja pasdite erdhi aty. Ajo tha se duhet të punonte 16 orë në ditë sepse nuk kishte mundësi t’i mbante. Për sëmundjen mora vesh se ajo kishte thënë në telefon që fëmijët ishin me zgjebe.
Jetoj në Itali, hera e parë që shkoja. Në verë i kisha takuar. Kishte ditëlindjen dhe u mblodhëm të gjithë. Nuk e dija këtë situatë. Ajo më tha se do t’i mbante vetë fëmijët. I thashë t’i merrja në Itali, i mora me autobus dhe i mbajta atje. Edhe pse ishte e ndarë, ajo vinte e ikte. Unë i kam mbajtur fëmijët, u kam bërë dokumentet. Gjykata ia dha asaj kujdestarinë.
Ne e kemi ndihmuar financiarisht gjithmonë. I kam veshur fëmijët dhe edhe nusen. Djali im punon, është elektricist. Kur kam shkuar në banesë nuk e kam gjetur, fëmijët më thanë se ishte te parukeria. E kam pritur me orë të tëra. Bënte flokët kaçurrela bionde, thonj, shpenzime të mëdha. Ndërkohë fëmijët ishin në atë gjendje. Nuk duam shpresa të kota.”
Deklaratat e Blerina Bashës
“Unë këtë çështje ia kam lënë shtetit dhe policisë, nuk merrem më me deklarata. Fëmijët janë shumë mirë. Nuk i kam braktisur kurrë. Po të ishin braktisur, nuk do isha sot me ta.
Fëmijët kanë qenë në Itali dhe janë kthyer në Shqipëri për një çështje gjyqësore. Unë jam kthyer në Bari dhe më pas jam rikthyer. Punoj në një lokal pranë muzeut në Durrës. Çdo gjë tjetër janë deklarata.
Për sëmundjen, fëmijët kanë pasur një infeksion në lëkurë, tani gjithçka është në rregull. I kam kërkuar ish-burrit një ilaç dhe më ka thënë që nuk mund ta merrte.
Punoj nga mëngjesi në darkë, por jam shkëputur edhe gjatë ditës. As babai, as gjyshja nuk i kanë marrë në telefon fëmijët kurrë. Fëmijët e mi janë mirë dhe unë jam pranë tyre.”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






