

PD akuzon Kryeministrin për bllokim të procesit institucional. Berisha bën thirrje për reagim qytetar
Disa orë pasi Edi Rama njoftoi se ka vendosur ta bllokojë planin e SPAK për arrestimin e Ballukut Partia Demokratike ka reaguar sot me një deklaratë të fortë publike, duke akuzuar Kryeministrin se ka ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në proceset institucionale, duke penguar shqyrtimin e një kërkese të Prokurorisë së Posaçme që lidhet me statusin parlamentar të një zyrtareje të lartë të qeverisë.
Më herët Kryeministri shpalli se shqyrtimi i çështjes do të pezullohet deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Partia Demokratike pretendon se kjo lëvizje është shoqëruar me ndërprerjen e menjëhershme të punës së Këshillit për Imunitetin dhe Mandatet, pa dhënë shpjegime ligjore.
Në reagimin e tij Sali Berish e cilëson këtë veprim si një ndërhyrje të rëndë në funksionimin e institucioneve dhe një përpjekje për të penguar proceset e drejtësisë. Sipas tij, pezullimi i shqyrtimit krijon kushte që të dëmtohet procesi hetimor dhe të komprometohet transparenca institucionale.
Berisha tha se kërkesa e Prokurorisë, sipas opozitës, mbështetet në fakte, dokumente dhe hetime financiare që nuk kanë lidhje me çështje kushtetuese, por me dyshime për afera të mëdha ekonomike dhe pasuri të pajustifikuara. Ai argumentoi se Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit e detyrojnë Parlamentin që kërkesa të tilla t’i shqyrtojë pa vonesë dhe brenda afateve të përcaktuara.
Në vijim, Partia Demokratike e lidh këtë situatë me akuza më të gjera ndaj qeverisë, duke përmendur projekte të mëdha infrastrukturore dhe investime publike, të cilat sipas saj përfaqësojnë shembuj të keqmenaxhimit dhe mungesës së llogaridhënies.
Berisha u bën thirrje qytetarëve që të reagojnë dhe të angazhohen për mbrojtjen e ligjit dhe Kushtetutës, duke paralajmëruar aksione qytetare në ditët në vijim. Sipas opozitës, reagimi publik është i domosdoshëm për të mbrojtur funksionimin e shtetit dhe parimet demokratike.
Deklarata e plotë e Berishës
Edi Rama, në një akt puçist antikushtetues, njoftoi sot bllokimin e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres së tij, Lubi Balluku, sipas tij deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ai shpalli këtë vendim pasi urdhëroi Peleshin dhe Ballën të ndërprisnin brutalisht, pa asnjë shkak, shqyrtimin në Këshillin e Imunitetit dhe Mandateve të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubi Ballukut.
Ky është një akt tjetër tepër i rëndë, puçist dhe antikushtetues, një bllokim me çdo kusht i drejtësisë dhe i vendimeve të saj, një mbrojtje me çdo kusht e bashkëvjedhëses së tij, Lubi Ballukut, me 300 apartamente, 2 jahte dhe 14 supermarkete, etj., etj. Është një përpjekje e hapur për t’i krijuar kushte delinkentes Balluku që të prishë, fshehë dhe manipulojë çdo provë, si dhe të frikësojë, dhunojë apo blejë çdo dëshmitar.
Kërkesa për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubi Ballukut nuk ka absolutisht asnjë lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimi i Prokurorisë për arrestimin e Ballukut bazohet në fakte dhe dokumente të vjedhjeve mbi 1.2 miliardë euro, bazohet në hetimin e aferave të tjera si Unaza e Madhe e Tiranës me 450 milionë euro vjedhje, si dhe në gjetjen e 300 apartamenteve, dy jahteve dhe 14 supermarketeve të të pangopurës së tij, Lubi.
Me këtë akt puçist dhe antikushtetues, Edi Rama jo vetëm bllokon pushtetin gjyqësor, por merr gjithashtu pushtetin e Parlamentit, duke asgjësuar de facto këtë institucion, pasi Rregullorja dhe Kushtetuta e tij, në nenin 118, “për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit me burg apo në shtëpi për ministrat dhe deputetët”, detyron Parlamentin dhe Këshillin për Imunitetin dhe Mandatet të shqyrtojë menjëherë kërkesën e Prokurorisë dhe ta përfundojë brenda dy javëve raportin për ta paraqitur si pikë të parë të rendit të ditës në seancën e parë plenare pasardhëse.
Me këtë akt puçist dhe antikushtetues, Edi Rama mbron veten e tij dhe vjedhjet e tij prej miliardash në mega-aferat e Tunelit të Llogarasë, Aeroportit të Vlorës, “Dubait” të tij të Durrësit, AKSHI-n, kopshtin privat të familjes së tij, etj., etj.
Por me këtë akt të paprecedent, narkodiktatori i Tiranës provokon në mënyrën më të ulët qytetarët e revoltuar shqiptarë, të cilëve me gjuhë brigandi u thotë se “ju kemi vjedhur dhe do t’ju vjedhim sa të duam, sepse ju jeni qenie inferiore dhe për këtë arsye nuk ekzistoni”.
Partia Demokratike denoncon me forcën më të madhe këtë akt puçist të Edi Ramës dhe bën thirrje:
Në këmbë, qytetarë! Të mbrojmë nesër me guxim dhe vendosmëri ligjin dhe Kushtetutën, me revolta të fuqishme, për të shpëtuar sa më shpejt shqiptarët dhe Shqipërinë nga Ramaduro dhe regjimi i tij.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






