Transmetuar më 21-12-2025, 10:01

Kërkesa e SPAK-ut për Kuvendin, Rama reagon për çështjen Balluku: “Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me kërkesën e SPAK-ut drejtuar Kuvendit për autorizimin e masave të reja ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, duke ngritur pikëpyetje mbi kohën dhe mënyrën se si prokurorët kanë vepruar.

Rama u shpreh se është “shumë kurioz” pse prokurorët janë nxituar t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme, ndërkohë që më 22 janar çështja e pezullimit është përballë Gjykatës Kushtetuese, e cila, sipas tij, duhet të gjykojë në themel ligjshmërinë e kësaj mase.

Ai tha sot në podkastin e tij se në një shtet të së drejtës, drejtësia nuk vepron me nxitim, por pret përfundimin e një procesi përpara se të kërkojë një masë tjetër. Sipas Ramës, shteti i së drejtës nuk është hapësirë për përplasje mes pushteteve të pavarura dhe as për ndërhyrje të një pushteti në territorin kushtetues të një tjetri.

Kryeministri deklaroi se aktualisht nuk ka ende një përgjigje përfundimtare, por se do të vazhdojë të analizojë dhe të kuptojë më mirë, sipas tij, “simptomat e brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor”, duke shtuar se në kohën e duhur do të japë edhe qëndrimin e tij përfundimtar.

Ndërkohë, Rama bëri të qartë se shumica qeverisëse dhe parlamentare nuk ka asnjë gjasë të shqyrtojë kërkesën e nxituar të prokurorëve për masa të reja, pa u përmbyllur më parë procesi themelor në Gjykatën Kushtetuese.

Ai theksoi se edhe në dritën e raporteve të ekspertëve të Këshillit të Europës dhe të Komisionit për Parandalimin e Trajtimit Çnjerëzor apo Poshtërues, këto masa duhen analizuar me qetësi dhe seriozitet, por vetëm pasi të jetë dhënë vendimi për masën që ai e cilëson si antidemokratike dhe antikushtetuese të pezullimit.

“Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon”, përfundoi Rama.

E plotë:

Kërkesa e SPAK-ut për Kuvendin

"Jam shumë kurioz, pse prokurorët që u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme, në ditët e fundit, nuk e mbajtën parasysh që si fillim jemi në një çështje ballë për ballë në Gjykatën Kushtetuese më 22 janar ku gjykata më e lartë e vendit, duhet të gjykojë në themel çështjen e masës së pezullimit antidemokratik të një anëtari qeverie me kërkesë prokurorie.

E ngre këtë pyetje sepse në çdo vend, ku drejtësia nuk vrapon, po gjykon, ajo do të priste fundin e gjykimit për një masë, para se të kërkonte një masë tjetër, sepse shteti i të drejtës nuk është shesh as për karshillëk mes pushteteve të pavarura, as për përsheshin e një pushteti në territorin kushtetues të një pushteti tjetër.

Sot, nuk e kam përgjigjen, por do të vazhdoj të lexoj, do vazhdoj të mësoj dhe do të vazhdoj të bëj të gjithë përpjekjet e mia që të kuptoj sa më mirë nga analiza e thelluar e simptomave të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, e me siguri do ta kem në kohën e duhur edhe përgjigjen time për sa më lart.

Por në ndërkohë, sikundër është bërë e qartë edhe në Komisionin e Mandateve në Kuvend, nuk ka asnjë gjasë që ne shumica qeverisëse dhe parlamentare e këtij vendi ta shqyrtojmë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të reja ekstreme, të cilat edhe në dritën e raportit të ekspertëve të Këshillit të Europës, edhe në dritën e raportit të Komisionit të “torturave”të Këshillit të Europës, edhe në dritën e shumëçkaje tjetër janë vërtetë për t’u marrë dhe për t’u gjykuar me shumë qetësi, por jo pa mbaruar njëherë me themel procesi që kemi hapur në Gjykatën Kushtetuese, për masën ekstreme, për masën antidemokratike dhe antikushtetuese të pezullimit nga prokurorët që sikur s’kishte ndodhur dhe s’ka ndodhur asgjë erdhën me vrap të kërkojnë masa të tjera. Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon." /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit