Transmetuar më 21-12-2025, 10:21

Policia e Shkodrës njoftoi sot se është zbardhur vrasja e djalit 20 vjeçar Pavlin Preka, e kryer më datë 27 shkurt 2025, në fshatin Guci e Re, raporton noa.al.

Kapen dhe vihen në pranga dy shtetas, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Pesha e krimit”, janë vënë në pranga Klaudio Lisaj dhe Vasel Koçeku.

Detajet për operacionin policor

Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësisë Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe atyre të DVP-së Shkodër.

Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësinë Shkodër dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së Pavlin Prekës, e kryer më datë 27.02.2025, në fshatin Guci e Re, u finalizua operacioni policor i koduar “Pesha e krimit”.

Në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:

Klaudio Lisaj 20 vjeç, banues në fshatin Mgull;

Vasel Koçeku, 43 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri.

Ata akuzohen për veprat penale:

“Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;

“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme. /noa.al

MISTERI – Çfarë pa Pavlin Preka që e ekzekutuan

Vrasja e të riut Pavlin Preka në oborrin e banesës së tij në fshatin Guci e Re, Shkodër, ishte e mbushur me mister.

Disa muaj pas ngjarjes, Shkodraweb raportonte se dyshimet janë se i riu mund të ketë parë diçka që nuk duhej ta shihte dhe për këtë arsye e kanë “hequr qafe”.

“Është një i ri pa një rekord kriminal. U vra me silenciator, dhe është thirrur të dalë jashtë shtëpisë së tij, ka qenë ekzekutim mafioz. As fqinjët nuk kanë dëgjuar asgjë që të mund të dëgjonin.

Nuk ka as kamera sigurie, por ishte një vrasje e mirëmenduar dhe mirëorganizuar. Dy janë pistat kryesore. Një është për territoret e kanabasit, në lidhje me parcelat. Mund të ketë parë diçka ndoshta që nuk duhet ta shihte. Mund të ketë punuar për grupet kriminale dhe mund të ketë pasur gërricje e grupet kriminale nuk e kanë për gjë të të heqin qafe", thuhet në raportin e portalit lokal.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 27 shkurtit të këtij viti. Ishte xhaxhai i 20-vjeçarit, Nikollë Preka personi i cili e gjeti nipin e tij të vrarë. I riu jetonte i vetëm në shtëpi ndërsa ushqehej tek familja e xhaxhait që e kishte shumë afër. Pasi e kishin telefonuar disa herë për të ngrënë drekën, ai nuk i ishte përgjigjur dhe si rrjedhojë xhaxhai i tij kishte shkuar tek banesa duke menduar se mos ishte në gjumë.

Por, në atë moment e gjeti 20-vjeçarin të shtrirë në oborrin e banesës të “bërë shoshë” nga plumbat. Menjëherë ai telefonoi policinë, të cilët mbërritën në vendin e ngjarjes dhe filluan hetimet.

Më herët, përveç familjarëve të së riut, por edhe fqinjët, e kanë përshkruar Pavlinin si një djalë të qetë, i cili nuk kishte konflikte me askënd. Ky fakt është konfirmuar edhe nga Policia të cilët më herët bënë me dije se ai nuk rezultonte të kishte precedent penal.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit