Transmetuar më 17-12-2025, 10:20

Pak ditë pasi çifti hollivudian u vra barbarisht nga djali i tyre një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur median amerikane dhe opinionin publik në SHBA.

Reporterja e njohur televizive Christina Chambers dhe bashkëshorti i saj, Johnny Rimes, janë gjetur të pajetë në banesën e tyre familjare në qytetin Hoover, në shtetin e Alabamës, raporton noa.al.

Sipas autoriteteve lokale, çifti u gjet pa shenja jete nga një familjar, i cili njoftoi menjëherë policinë. Oficerët mbërritën në banesën e ndodhur në zonën e Highland Manor Court rreth orës 09:00 të mëngjesit të së martës. Në vendngjarje u konstatua se të dy kishin ndërruar jetë si pasojë e plagëve nga armë zjarri.

Ekipet e emergjencës mjekësore i shpallën të dy të vdekur në vend. Policia e Hoover-it bëri të ditur se hetimet paraprake po e trajtojnë çështjen si një rast vrasje–vetëvrasje, ndërsa theksoi se nuk ka asnjë rrezik për publikun.

Djali i çiftit, tre vjeç, ndodhej në banesë në momentin e ngjarjes, por fatmirësisht nuk ka pësuar asnjë dëmtim dhe është marrë në kujdes nga familjarët.

Christina Chambers ishte një emër shumë i njohur në median lokale amerikane. Ajo punoi për gati një dekadë si reportere sportive në televizionin WBRC, ku u vlerësua për profesionalizmin, pasionin për sportin dhe lidhjen e fortë me komunitetin, veçanërisht me sportet universitare dhe ato të shkollave të mesme në Alabama dhe Georgia.

Media ku ajo kishte punuar më parë e përkujtoi me një deklaratë zyrtare, duke e cilësuar Chambers si një gazetare të përkushtuar dhe një kolege të dashur, që la gjurmë të forta tek të gjithë ata që punuan me të. “Të njihje Christinën do të thoshte të njihje gëzimin,” u shpreh një nga ish-kolegët e saj gjatë një homazhi televiziv.

Johnny Rimes, sipas të dhënave publike, kishte punuar për gati 14 vite si analist financiar në një kompani të njohur amerikane. Çifti ishte martuar në vitin 2021 dhe jetonte në Hoover së bashku me djalin e tyre të vogël.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë, ndërsa komuniteti mediatik dhe familjarët kanë shprehur dhimbje të thellë për humbjen e dyfishtë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit