Transmetuar më 14-12-2025, 23:35

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me sulmin terrorist të ndodhur në Sidnei. Shefi i Policisë së Uellsit të Ri Jugor, Mal Lanyon, konfirmoi se dy autorët e sulmit – një burrë 50 vjeç dhe një tjetër 24 vjeç – ishin atë dhe bir.

Babai u vra nga të shtënat e Policisë, ndërsa djali ndodhet në gjendje kritike, por të stabilizuar, në spital. Lanyon deklaroi se Policia nuk po kërkon autorë të tjerë.

“Në kuadër të hetimit, ekzekutuam dy urdhër-kontrolle, një në Bonnyrigg dhe një të dytë në Campsie. Burri 50-vjeçar ishte mbajtës i lejes së armëve dhe posedonte gjashtë armë me leje të rregullt.

Policia ende nuk ka konfirmuar motivet pas sulmit dhe deklaron se ato janë pjesë e hetimit në vazhdim,” theksoi ndër të tjera ai.

Drejtori i Policisë shtoi gjithashtu se nuk ka asgjë që të tregojë se sulmi ishte planifikuar më parë nga ndonjëri prej dy personave të përfshirë.

Lanyon tha gjithashtu se kishte informacione shumë të kufizuara për autorin më të ri, i cili, sipas autoriteteve, ishte i njohur për ASIO, shërbimin australian të inteligjencës.

“Hetuesit tanë po punojnë pa ndërprerje. Jam jashtëzakonisht krenar për punën e bërë deri më tani. Duam të kuptojmë motivet pas këtij sulmi. Duam të kuptojmë saktësisht veprimet që ndodhën. Nuk mund të komentoj vazhdimisht mbi hetimin…”, u shpreh ai.

Naveed Akram, 24 vjeç, besohet të jetë i lidhur me bashkëpunëtorin e tij në të shtënat vdekjeprurëse në Bondi Beach.Pamjet: Sky News

“Do të merren masa”

Kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns, deklaroi se “pothuajse me siguri” do të ketë reforma ligjore pas këtij sulmi terrorist.

Ai u pyet nëse kishte pasur neglizhencë në dhënien e lejes së armëve për babanë dhe në faktin që dy personat nuk u identifikuan nga autoritetet përpara sulmit.

Minns u përgjigj se “nuk mund të thotë në këtë fazë” nëse ka pasur dështime dhe se Policia do të zhvillojë hetimin e saj.

“Do të ketë një hetim të plotë. Bëhet fjalë për një ngjarje terroriste masive në qytetin më të madh të Australisë, me objektiv australianët hebrenj. Duhet të zbardhim saktësisht se si ndodhi, në mënyrë që të marrim masa për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë më.

Besoj se në këto rrethana është e rëndësishme të shqyrtohen të gjitha faktet dhe t’i jepet kohë Policisë së Uellsit të Ri Jugor të kryejë hetimin, por duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të siguruar që kjo të mos përsëritet. Një pjesë e kësaj mund të jetë reforma ligjore – dhe pothuajse me siguri do të jetë. Një pjesë tjetër do të jetë reagimi i plotë policor, por çështja do të shkojë edhe në nivelin e përballjes me racizmin dhe antisemitizmin në komunitetin tonë”, theksoi ai.

U gjetën edhe mjete shpërthyese

Shefi i Policisë së Uellsit të Ri Jugor, Mal Lanyon, konfirmoi se në vendngjarje u gjetën dy mjete shpërthyese artizanale (IED), të cilat ishin aktive.

“U gjetën dy IED në vendngjarje, të cilat u morën nga njësia e specializuar për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese. U konfirmua se ishin mjete aktive. Ato u larguan dhe u neutralizuan nga Policia jonë, e cila bëri një punë plotësisht profesionale”, deklaroi Lanyon.

Ai shtoi se është “shumë i lehtësuar” që këto mjete nuk u aktivizuan. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit