

Të paktën 11 persona u vranë të dielën pasi dy persona të armatosur hapën zjarr gjatë një aktiviteti hebre të zhvilluar në plazhin Bondi në Sydney, njoftuan autoritetet australiane, duke e cilësuar ngjarjen si sulm terrorist. Njëri nga autorët u neutralizua për vdekje nga policia, ndërsa i dyti u arrestua.
I dyshuari i arrestuar ndodhet në gjendje kritike, sipas autoriteteve. Të paktën 29 persona të tjerë u plagosën, përfshirë dy efektivë policie, deklaroi Mal Lanyon, komisioneri i policisë së shtetit të Uellsit të Ri Jugor, ku ndodhet Sydney.
Sulmi kishte në shënjestër një aktivitet hebre
“Ky sulm ishte i projektuar për të goditur komunitetin hebre të Sydney-t”, deklaroi kryeministri i shtetit, Chris Minns. Sipas policisë, ngjarja u shpall akt terrorist për shkak të objektivit të zgjedhur dhe armëve të përdorura.
Qindra persona ishin mbledhur për një aktivitet të quajtur “Chanukah by the Sea”, që shënonte nisjen e festës hebreje të Hanukës, e zhvilluar në plazhin Bondi.
Pamje dramatike, të filmuara nga qytetarë dhe të transmetuara nga televizione australiane, tregojnë një person që duket se rrëzon dhe çarmatos njërin nga autorët, përpara se t’i drejtojë armën.
Komisioneri Lanyon tha se numri i viktimave është ende në ndryshim, pasi të plagosurit vazhdojnë të dërgohen në spitale.
Dëshmitarët: njerëzit vraponin dhe fshiheshin nga të shtënat
Lachlan Moran, 32 vjeç, nga Melbourne, i tha Associated Press se po priste familjen e tij aty pranë kur dëgjoi të shtënat. Ai tha se hodhi birrën që mbante në dorë dhe vrapoi.
“Dëgjova disa krisma dhe u tremba, fillova të vrapoja. Ishte instinkt. Vrapova sa më shpejt që munda,” tha ai, duke shtuar se të shtënat vazhduan me ndërprerje për rreth pesë minuta.
“Të gjithë i hodhën sendet dhe vraponin. Njerëzit qanin, ishte tmerr,” shtoi Moran.
Grace, 30 vjeçe, dhe partneri i saj Joel Sargent, po qëndronin në një hotel pranë zonës. Ata thanë për AP se dëgjuan zhurma të forta dhe panë nga dritarja njerëz që vraponin dhe fshiheshin pas pemëve dhe makinave.
“Njerëzit bërtisnin dhe arma dukej shumë e fortë. Ishte e vazhdueshme, mbi 50 të shtëna, pa dyshim,” tha Grace.
Pajisje të dyshimta dhe një mjet shpërthyes artizanal
Policia njoftoi se operacioni është ende në zhvillim, ndërsa specialistë po kontrollojnë disa objekte të dyshimta të gjetura në zonë, përfshirë një mjet shpërthyes artizanal të zbuluar në njërën prej makinave të autorëve.
Shërbimet e emergjencës u thirrën në Campbell Parade rreth orës 18:45, pas raportimeve për të shtëna me armë zjarri.
Reagimi i udhëheqësve australianë
Kryeministri australian Anthony Albanese u shpreh “i shkatërruar” nga masakra.
“Ky është një sulm i qëllimshëm ndaj hebrenjve australianë në ditën e parë të Hanukës, e cila duhet të ishte ditë gëzimi. Ky ishte një akt i së keqes, antisemitizëm dhe terrorizëm që ka goditur zemrën e kombit tonë,” tha Albanese.
Ai shtoi se autoritetet po punojnë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në sulm.
“Nuk ka vend për këtë urrejtje, dhunë dhe terrorizëm në vendin tonë. Nga kjo ngjarje e tmerrshme duhet të dalë një moment uniteti kombëtar,” theksoi kryeministri.
Të shtënat masive janë të rralla në Australi
Ngjarje të tilla janë jashtëzakonisht të rralla në Australi. Masakra e vitit 1996 në Port Arthur, ku u vranë 35 persona, çoi në shtrëngimin drastik të ligjeve për armët e zjarrit.
Që prej asaj kohe, raste të tilla kanë qenë të pakta. Në vitin 2022, dy policë u vranë nga ekstremistë fetarë në Queensland, ndërsa autorët u neutralizuan pas një rrethimi gjashtëorësh. /noa.al, me detaje dhe pamje nga AP
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






