Transmetuar më 14-12-2025, 20:56

Rasti i Ermes Hoxhallit ka tronditur opinionin publik jo vetëm për shkallën e manipulimit, duke përfshirë emrin e Ambasadës Amerikane për të fituar besueshmëri me projektin e bursave në shkollat shqiptare, por edhe për mënyrën se si institucionet shtetërore u mashtruan përmes një identiteti të rremë, vetëm se menduan se po punonin me mbesën e kryeministrit.

Në Top Channel, i riu ka folur pasi ka shlyer dënimin me burg. Duket se i riu ka kaluar përmes një procesi të rrallë psikologjik dhe social: krijimin e një bote paralele.

Qëllimi i kësaj bisede është të të kuptojmë kush je, Ermes. E nisim me ty të vogël. Si e mban mend veten fëmijë?

Ermes Hoxhalli: Kam qenë një fëmijë ekstrovert, tundohesha për të bërë gjëra që nuk i përkisnin deri diku moshës time. Gjithmonë kam kërkuar të jem i madh, sepse ashtu mund të bësh gjëra që nuk të lejohen kur je fëmijë, pasi s’të vendosin në pozicione të duhura apo me përgjegjësi. Thjesht thoshin: je fëmijë, e prit sa të rritesh.

Të irritonte kjo gjë?

Ermes Hoxhalli: Po më irritonte, sepse nuk është mosha ajo që përcakton nivelin e dijes apo paditurisë.

Ke pasur shoqëri?

Ermes Hoxhalli: Kam pasur jashtëzakonisht shumë. Kam qenë deri diku trazovaç. Ikja nga shtëpia, ikja edhe nga fshati me shokët. Dhe sot i kujtoj me shumë nostalgji e i them vetes: Sa mirë ishte kur ishe i vogël.

Po të ka pëlqyer të kryesoje grupin, të ishe lider në klasë?

Ermes Hoxhalli: Gjithmonë më ka pëlqyer ideja e drejtimit. Kam qenë i pari për çdo gjë.

Edhe për probleme?

Ermes Hoxhalli: Tani, kur disa gjëra sjellin probleme, mbase.

Si ishte jeta në fshat? Doje të largoheshe nga fshati?

Ermes Hoxhalli: Jo asnjëherë. Fshati është një formë edukuese për fëmijën.

Më miqësor se qyteti?

Ermes Hoxhalli: Patjetër, nëse do e krahasoja do thoja fshati është një familje, ndërsa qyteti është një fis.

Sa i lidhur ishe me prindërit e tu?

Ermes Hoxhalli: Kam qenë shumë. Mami im është rrobaqepëse, ndërsa babi merret me bujqësi kryesisht, edhe në emigrim bashkë me mamin. Duke qenë se nuk ka të ardhura të mjaftueshme, detyrohen të largohen.

Sa kohë qëndronin larg teje?

Ermes Hoxhalli: Rreth tre muaj.

Me kë qëndronit ju?

Ermes Hoxhalli: Me gjyshen, vëllain dhe njërin prej prindërve, se nuk largoheshin të dy në të njëjtën kohë. Me vëllain kemi pasur marrëdhënie shumë të ngushtë, fëmijë kemi qenë më të çlirët me njëri-tjetrin.

Çfarë ndryshon kur rritesh?

Ermes Hoxhalli: Së pari ndryshon jeta. Kur je i vogël nuk mendon, thjesht jeton momentin. Ndërsa kur rritesh fillon interesi.

Kur ishe i vogël si e imagjinoje veten të rritur?

Ermes Hoxhalli: Dëshira ime e parë ka qenë të jem pjesë e botës së spektaklit. Por pastaj kam kuptuar në gjimnaz talentin tim të fshehur që ka qenë teatri. Teatri është për mua një botë e magjishme. Është një pasqyrim i realitetit.

…Dhe madje thua që teatri jam vetë unë!

Ermes Hoxhalli: Po, kur jam në teatër sikur jam bërë për të jetuar aty. Sikur jam bërë për të veshur personazhe dhe për t’i folur publikut, realitetit e për t’i dhënë shuplaka të fenomeneve shoqërore. Vetë jeta është një teatër.

Ti je një personazh i ndryshëm në kohë të ndryshme?

Ermes Hoxhalli: Unë jam në fillimet e mia në Universitetin e Arteve, por duke vëzhguar persona në rrugë apo kudo mundohesh të marrësh pak nga pak nga çfarë të bën përshtypje për ti rikrijuar.

Lënda që ke qenë më shumë i lidhur?

Ermes Hoxhalli: Letërsia. Lexoja jashtëzakonisht shumë. Gjimnazi ka qenë një ‘boom’ i madh për mua.

Gjimnazin po në Devoll e ke kryer?

Ermes Hoxhalli: Po në qytetin e Bilishtit. Jam mbushur shumë nga letërsia, jam inspiruar të shkruaja..

Kjo të izolonte nga bota e vërtetë, jashtë librave?

Ermes Hoxhalli: Vetë librat ishin deri diku për mua vetë bota, ishin realitete të marra dhe të shkëputura të ndërtuara me narrativën e një autori, shkrimtari por që pasqyronin fenomene shoqërore.

A je ti Ermes person që ndjek rrjedhën apo merr vetë vendime?

Ermes Hoxhalli: Marr vetë vendime. Shumica në Shqipëri, i referohem brezit tim, ndjekin turmën dhe janë pjesë e turmës.

Si e vlerëson aftësinë tënde për të marrë vendime?

Ermes Hoxhalli: Duhet të kalosh shumë peripeci, që të kesh një gjykim të pastër… kështu që jam ende në procesim.

Kush ka qënë udhëzuesi në jetën tënde?

Ermes Hoxhalli: Shkrimtarët më të mirë. E dashuroj për atë çka ka shkruar George Orwell, që sigurisht si ai dua të jem e pa diskutim edhe si Dostojevski.

Çfarë kishe qejf tjetër veçse të lexoje? Si e kaloje kohën? Sa qëndroje në internet?

Ermes Hoxhalli: Në këtë botën virtuale, lundroja herë pas here… por gjithmonë kam qenë i zënë sepse drejtoja disa projekte, edhe me pjesën e shkollës e gjithmonë dua të shkëlqej të jem më i miri.

A mendon se më shumë njerëzit mësojnë nga dështimet apo nga sukseset?

Ermes Hoxhalli: Nga dështimet, sepse kur ti ke sukses je në të vetëndjerin e suksesit, edhe sytë e ty mbyllen aq shumë sa nuk sheh kush të duartroket edhe kush jo. Bëhesh arrogant, egoist.

Si mendon se të shohin të tjerët ty Ermes, edhe sa ndikon kjo në mënyrën sesi ti e sheh veten?

Ermes Hoxhalli: Si më shihnin para diçkaje, apo pas?

Në të dyja fazat e jetës tënde.

Ermes Hoxhalli: Para besoj se nuk më shihnin fare se nuk e dinin kush isha, edhe pas patjetër që ka ndryshim…

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit