Është vetëm 20 vjeç dhe ka arritur të mashtrojë shtetin shqiptar, ambasadën amerikane, qindra mësues, nxënës, prindër dhe studentë.
Ai është Ermes Hoxhalli, djali nga Devolli që është pak ose aspak aktiv në rrjetet sociale ku prezantohet si aktor, gazetar, poet, etj.
Ermes është arritur të zbulohet nga hetime proaktive të përbashkëta ndërmjet Policisë së Shtetit, Ambasadës së ShBA-së në Tiranë dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Policia e Shtetit pranoi publikisht sot se Ermes Hoxhalli rezulton i përfshirë në një skemë të madhe mashtrimi, me objektiv sistemin arsimor në të gjithë vendin.
I riu është arrestuar nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ku në drejtimin e Prokurorisë së Seksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë ekzekutuar një masë sigurimi “Arrest në burg”, të lëshuar nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
U deshën 6 muaj hetime nga një grup hetimor i posaçëm, i përbërë nga oficerë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe hetues nga Zyra e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës se Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Seksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të zbuluar këtë skemë mashtrimi të organizuar nga Ermes Hoxhalli.
Djaloshi në moshë fare të re mashtronte institucionet arsimore, me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”.
Programet iu premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara.
I arrestuari Ermes Hoxhalli kishte krijuar një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe të institucioneve të tjera arsimore në të gjithë Shqipërinë.
Qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë në të gjithë Shqipërinë morën pjesë në këto programe mashtruese.
Zyrtarisht nuk publikohet një kosto financiare e dëmit që i është shkaktuar personave të prekur, por një gjë është e qartë, imazhi i strukturave të shtetit dhe Ambasadës amerikane është cenuar ndjeshëm nga ky mashtrim me përmasa ndërkombëtare nga një djalë vetëm 20 vjeç.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd